Annie McKee
Shefat e këqinj na tërbojnë. Ndërsa shefat e mirë, nga ana tjetër janë … të mëdhenj! Na trajtojnë me respekt, zhvillojnë aftësitë tona dhe na ndihmojnë të arrijmë objektivat. Kanë një sens humori dhe dijnë si të na bëjnë të çelemi. Na frymëzojnë dhe na ndihmojnë të ripërqëndrohemi, kur gjërat shkojnë keq. Janë shumë argëtues kur del me ta. Eshtë e rrallë të kesh një shef që e respekton. Por është edhe më e rrallë të kesh një shef që mund ta adhurosh me të vërtetë.
Në studimin tim mbi lidershipin, kam kaluar shumë kohë në përpjekje për të përcaktuar se çfarë është në të vërtetë lidershipi i shkëlqyer (mendoni inteligjencën emocionale). Unë përpiqem gjithashtu shumë që të ndihmoj njerëzit të bëhen liderë të fortë – nga ai lloj që ndërtojnë ekipe të mirë, arrijnë objektiva, veprojnë me integritet dhe etikë, dhe kujdesen edhe për të tjerët. Këta janë llojet e liderëve që të gjithë i duam, por ata janë të paktë. Atëherë, çfarë mund të shkojë keq, nëse ndodh që të kesh një shef të tillë, të rrallë?

Në fakt, shumë gjëra shkojnë keq kur bie në dashuri me shefin. Dhe nuk e kam fjalën për atë lloj dashurie (që është problem edhe më i madh). E kam fjalën për atë dashuri ku ti e vendos shefin në piedestal, ku e sheh gjithmonë me syze rozë, dhe që ngjan shumë me lajkatimin.

Shndërrimi i shefit tënd në një idhull është një ide vërtetë e keqe. Ja përse:
Së pari, kjo lloj marrëdhënieje është shpesh herë e ngarkuar me emocione të fortë. Dhe emocionet e fortë, të mirë apo të këqinj qofshin, mund të të errësojnë gjykimin. Kur jemi të mbërthyer nga ndjenja të forta, ne nuk shohim me qartësi vetveten, të tjerët apo situatat. Kjo ndodh sepse njohja dhe arsyetimi “merren peng” prej emocioneve, qoftë edhe pozitivë, duke na lënë intelektualisht me të meta. Nuk e shohim shefin qartë, kështu që e lejojmë të bëjë gabime të marrë, ndërkohë që vetë rrimë e vështrojmë. Mundet që edhe t’ia mbulojmë gabimet. E kujt i shërben kjo? Sigurisht, jo ty. As ekipit apo organizatës tënde. Dhe në fund të fundit, nuk ndihmon as shefin tënd.

Adhurimi yt e bën shefin të ndihet mirë, dhe ai/ajo do të komprpomentohet gjithashtu intelektualisht kur kapet në një rrjetë vlerësimesh të vazhdueshëm pozitivë. Shefat në këtë situatë janë nën rrezikun e deluzionit. Ata fillojnë të besojnë gjithë këtë vlerësim të tepruar për vetveten. Më e pakta, shumë prej këtyre liderëve do të harxhojnë shumë kohë duke u siguruar që ju vazhdoni t’i pëlqeni – kam parë shumë liderë që bëjnë pothuajse gjithçka, vetëm e vetëm që njerëzit t’i pëlqejnë (edhe t’i dashurojnë). Kjo nuk është gjë e mirë për punën, dhe nuk është e sigurtë. Nëse objektivi është që njerëzit të të duan, si do të bësh ndonjëherë debate të fortë? Si do të japësh reagimin tënd? Si do i lësh të largohen?

Së dyti, kur një drejtues dhe një punonjës janë në këtë lloj marrëdhënieje, të tjerët zakonisht lihen jashtë. Duket si favoritizëm, dhe zakonisht kështu është. Kur ti dhe shefi yt jeni një çift jofunksional, njerëzit mërziten. Ata mblidhen bashkë. Përpiqen që të gjejnë një mënyrë si të të rrëzojnë nga piedestali. Shpesh herë funksionon. Më pas, mund të zbuloni anën tjetër të favoritizmit – “kokën e turkut”. Nëse shefi luan me favoritizmin, shanset janë që do të distancohet prej teje – madje edhe mund të të fajësojë – kur dalin probleme. Dhe probleme do të dalin gjithmonë. Pjesa më e trishtë e kësaj dinamike është se ajo është vërtetë e zakonshme. Dhe kur ta pësosh, shefi yt do të gjejë një tjetër ndihmës, e kështu cikli i pafat do të rifillojë nga e para.

Së treti – dhe më e rëndësishmja nga të gjitha – adhurimi i një personi të pushtetshëm është i rrezikshëm. Kohët e fundit jam takuar me ekipin e lidershipit në Muzeun e Holokaustit në SHBA. Historianët dhe mësuesit e jashtëzakonshëm në muze kanë krijuar një eksperiencë të fuqishme që tregon rrëshkitjen tinzare drejt ferrit, që ndodh me kalimin e kohës kur udhëheqësit adhurohen dhe shihen sikur nuk bëjnë asnjëherë keq.

E kemi parë këtë dinamikë në diktaturat kudo në botë. Sigurisht, është rrugë e gjatë nga skena botërore deri në tryezën tënde të punës, por dinamika njerëzore në themel të të dyjave nuk ndryshon shumë. Kur gjendemi në një situatë ku lejojmë shefin tonë të rrëshkasë, apo kur kompromentojmë “vetëm pakëz” etikën tonë personale për shefat tanë të dashur, jemi duke kërkuar telashe.

Pra… të duash shefin? Ok, s’ka problem. Vetëm mbani sytë hapur. /HARVARD BUSINESS REVIEW/

Annie McKee është Profesore në Universitetin e Pensilvanisë, Drejtore e PennCLO Executive Doctoral Program dhe themeluese e Teleos Leadership Institute
Shqiperimi nga www.bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb