Nga ARTAN FUGA
Që të jemi të qartë për mua: Unë jam bir i dy luftëtarve për liri. Aq sa kanë qenë. Çfarë mund të pritej më shumë nga njëzetvjeçarë, madje njeri jo plotësisht! Njëzetvjeçarë!!! Heronj nuk ishin, por as frikacakë e batakçinj kolaboracionistë.
Nuk dolën malit se e kishin barkun bosh. Ishin zengjinj dhe pasanikë. Studimet mund t’i bënin jashtë shtetit ku të donin.
Por, vinin nga familje që me tradhëtarët nuk bëhen kurrë miq. Kush mohon luftën patriotike, për këtë çështje nuk ndan të njëjtin mendim me mua. Ai të tijin, unë timin. As mos flasim fare për këtë çështje. Hapim muhabete të tjera.
Unë lutem për shpirtin e dëshmorëve që ranë të rinj. Unë i falem shpirtit liridashës të popullit. Unë brengosem nga fakti se lufta u kthye në luftë civile gjithashtu.
Kolaboracionistët mos justifikohen me diktaturën që erdhi më pas. Po, po, unë festoj edhe 28 edhe 29 Nëntorin.
Pa turp dhe me nder! Por, nuk harroj as viktimat e pafajshme të luftës, që u masakruan padrejtësisht;
Por, as gjyshen time, që veshur e tëra, në të zeza nuk e pranoi kurrë që Lufta e Dytë botërore kishte përfunduar, ngaqë mbante zi për ata katër a pesë të vrarë, familjarët e saj të dashur, masakruar nga tradhëtarët në pragun e shtëpisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb