Takimet e kryeministrit Rama në Berlin me Kancelaren Merkel dhe komisionin përkatës në Bundestag fund javën e kaluar bashkë me mesazhe të tjera tregojnë se lidhur me çeljen e negociatave të antarësimit në BE, po fiton gjithnjë e më shumë terren «Po»-ja; veçse jo me plot gojën, siç do ta donim ne, por e shoqëruar me disa kushte që do t’i kemi bashkëudhëtare në këtë proces të gjatë. Vizita e Presidentit të Këshillit të BE-së, Donald Tusk këtë javë në Tiranë do të hedhë më shumë dritë mbi këtë prirje.


Nisur nga strategjia, përqasjet dhe procedurat përkatëse të BE-së, të cilat i njoh nga afër falë përvojës së gjatë si diplomat në Berlin, Bruksel dhe në vazhdimësi, vendimi i 18 tetorit do të mbështetet në gjashtë aktorë dhe aktorë kryesorë politikë: gjendja dhe zhvillimet politike në vendin tonë, situata në shtetet antare të BE-së, sidomos ato që preken direkt nga dukuritë tona të njohura negative, « humori » dhe klima në elektoratet e atyre vendeve; përshkallëzimi i demarsheve drejt ballkanit i Rusisë, Kinës, Turqisë; vendimi për Maqedoninë e Veriut dhe së fundi, ndikimin e mundshëm të këtij vendimi në drejtim të reformave tona.


Le ta shohim më nga afër gjendjen.


Sa herë që diskutohet me të huajt për këtë temë, politikanët tanë përsërisin refrenin e njohur «i kemi kryer detyrat e shtëpisë» Kështu, në një farë mënyre «topin» e negociatave ata e hedhim në fushën e BE-së, edhe pse ai ka kohë që luhet në « portën » tonë. Me të drejtë shtrohet pyetja: dakord, por si i kemi kryer këto detyra, mirë apo «shkel e shko»? Mbasi «notën» do ta japin më 18 tetor në Bruksel 27 liderët e BE-së. Sepse dihet tashmë se kjo e fundit nuk është vetëm Komisioni dhe Parlamenti por dhe Këshilli Evropian, dmth të 27 vendet antare, një nga një dhe të gjitha bashkë, nga Luksemburgu e Malta deri te Franca me Gjermaninë.

Padyshim janë bërë hapa të konsiderueshëm në kryerjen e « detyrave të shtëpisë » në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, administratën publike, etj. Kryereforma e drejtësisë përbën dhe kyçin e përparimit në të gjitha fushat e tjera; mbi të gjitha për rifitimin e besimit të humbur te drejtësia, pa të cilën demokracia mbetet frazë boshe.

Për të qenë realistë, krahas «gjynaheve» jo të pakta, puna dhe përpjekjet e qeverisë dhe shumicës parlamentare meritojnë vlerësim; nihilizmi nuk i shërben kurkujt, as vetë opozitës ashtu si vetëkënaqësia as mazhorancës. Ashtu sikundër duhet të jemi realistë e të pranojmë se me gjithë arritjet, ka plot rezerva, duke filluar nga cilësia e kryerjes në dinamikë të «detyrave të shtëpisë». Ja psh, në administratën tonë publike brenda një vit janë pushuar nga puna, kanë dhënë dorëheqjen dhe janë çuar për ndjekje penale disa qindra punonjës dhe drejtues të saj; shumica dërmuese e tyre të emëruar këto 6 vitet e fundit madje dhe disa muaj më parë! Bëhet mirë që merren masa, por nga ana tjetër kjo tregon dobësitë serioze lidhur me emërimet dhe promovimet e punonjësve publikë, në shumë raste si shpërblim ndaj militantizmit të tyre. Gjë e mirë që policia dhe organet hetimore janë mobilizuar në të gjithë vendin me aksione dhe arrestime të shumta ; madje këto të fundit kanë zëvendësuar fjalën e bekuar «investime». Por, nga ana tjetër ato tregojnë se kanabisi, krimi i organizuar, dhuna e sidomos bartësit e tyre janë «ulur këmbëkryq» dhe nuk i takojnë të kaluarës, por mbeten «detyrë shtëpie» serioze.

Reforma e drejtësisë vërtet po ecën, por me kosto shumë të lartë dhe ritëm të ngadalshëm; kemi gati dy vjet pa Gjykatë Kushtetuese, ku deri tani janë depozituar jo pak por 121 dosje «shpërthyese» Kurse Gjykatës së Lartë, gjithashtu, »jashtë loje» sipas pohimeve të ditëve të fundit të KLGJ-së, do t’i duhen plot 17 vjet për të shqyrtuar 53.000 dosjet e depozituara, diçka e paparë për një vend demokratik, ku mungesa e tyre qoftë dhe një javë do të shkaktonte tërmet politik. Ndryshe nga tam tamet propagandistikë, në vend të «peshqve të mëdhenj» deri tani janë kapur dhe çuar para drejtësisë vetëm «cironka». Për pasojë, rrezikohemi që këtë reformë madhore, «ta paguajmë si frëngu pulën»

Gjithsesi, edhe sikur «detyrat e shtëpisë» t’i kishim kryer në mënyrë shembullore, kjo nuk do mjaftonte. Sepse faktori kryesor për një PO për çeljen e negociatave janë gjendja dhe rregulli në «punët e shtëpisë»; mbasi ne nuk jemi nxënës, por partnerë të BE-së dhe vend antar i NATO-s. Mirëpo, në «konakun» tonë ka një lëmsh dhe rrëmujë të paparë. Krejt ndryshe nga vite më parë ku kishim vetëm një apo e shumta dy kriza dhe konflikte, tashmë «vatrat e zjarrit» kanë përfshirë institucionet më të larta drejtuese; konfliktualiteti politik mes dy shumicës dhe opozitës së bashkuar reale ka arritur kulme të papara, kur nuk bëhet më fjalë as për mirësjellje dhe shtrëngime duarsh ndërmjet liderëve.

Kështu, opozita e filloi vitin duke djegur mandatet, diça e pazakontë, e pajustifikueshme dhe e padobishme për të dhe demokracinë shqiptare. Për pasojë, Kuvendi ka 122 nga 140 deputetë. Zgjedhjet lokale të 30 qershorit, nga një mundësi e «artë» u kthyen në një «mollë të madhe sherri» mes disa palëve, çka e rëndoi dhe më shumë krizën aktuale politike. Raporti i ODIHR «të fut mornica» në trup kur e lexon. Askund nuk gjendet fjala «zgjedhje të lira dhe të ndershme» Mirëpo për atë raport ka fajin e vet jo të vogël dhe opozita që me veprimet e saj bëri që shumica «të gjejë shesh dhe të bëjë përshesh».

Në vijim, asgjë e re dhe e inkurajuese në politikën tonë të jashtme, duke filuar nga bashkëpunimi rajonal, që ka qenë gjithnjë një atu e dobishme dhe e vlerësuar për politikën tonë. As me Kosovën, as me Serbinë, as me Greqinë, madje me këtë të fundit ka një heshtje të pajustifikueshme diplomatike pas shtimit të kushteve greke. Tani do të na duhet të presim me ankth takimin Rama – Mitsotakis javën tjetër në Nju Jork.

Si zakonisht, politika jonë e ka shtrirë gjeografinë politike të kësaj krize tej diagonales Tiranë- Bruksel. Ja pse, përpara 18 tetorit në Bruksel, na duhet të presim zemërngrirë përgjigjet nga Vjena, Strasburgu, Varshava, Venecia, Parisi dhe New Jork për dosje me të cilat i kemi «ushqyer» në zhegun e verës e që janë shumë më tepër se «patate përvëluese». Venecia e dërgoi delegacionin e saj në Tiranë më 9 Shtator lidhur me procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe do të të japë përgjigjen e shumëpritur më 11 Tetor. Problemi është se të gjitha këto raporte shkojnë në kancelaritë perendimore, të cilat i studiojnë me lup në dorë, përpara se të japin gjykimin e tyre për çeljen e negociatave.

Atëhere, në këto rrethana, cilat janë alternativat e mundshme për BE-në, që ajo të kënaqë interesat, ankesat dhe kërkesat e të gjitha palëve?

Së pari, «Jo» nuk ka të ngjarë, mbasi ajo do të binte në kundërshtim me opinionin e shumicës dërmuese të vendeve antare të BE-së, të Komisionit dhe Parlamentit Europian; ajo do të mohonte punën dhe arritjet e lartpërmendura dhe do të zhgënjente shpresat e popullit tonë që vazhdon te besojë mbi 90 për qind të BE-ja. Një «Jo» do të ishte bonus i madh për diplomacinë dhe strategjinë e vendeve jashtë BE-së që synojnë të futen fort në Ballkan; më tej, ajo do të krijonte të çara të reja me SHBA-të, të cilat siç dihet ditët e fundit e kanë shpallur çeljen e negociatave me Shqipërinë/Maqedoninë e Veriut ndër tre objektivat e tyre themelore. Së fundi por jo më pak e reëndsishme, kjo «Jo» nuk do të kishte kurfarë ndikimi në përmirësimin e gjendjes dhe përshpejtimin e reformave te ne, përkundrazi. Pak a shumë të njëjtat pasoja do të kishte dhe shtyrja për herë të tretë e tyre, çka vetëm se do të shtonte dozat e mosbesimit ndaj BE-së.

Për pasojë, më shumë gjasa do të ketë një «Po», por gjysmake, për shkaqet e përmendura më sipër. Por gjysmën tjetër të saj BE-ja do ta plotësonte dhe justifikonte me nevojën e frenimit të Rusisë, Kinës e Turqisë në Ballkan. Kjo «Po» do të njihte dhe vlerësonte punën e qeverisë dhe shumicës sonë parlamentare, punën e Komisionit e të Parlamentit Europian dhe shumicës së vendeve antare të BE-së.

Mirëpo një « Po » pa rezerva do të kishte komplikacionet e veta; ajo do të acaronte dhe do të kundërshtohej nga disa vende skeptike dhe kundërshtare që mesa duket vështirë të ndryshojnë qëndrim; gjithashtu ajo do te irritonte pjesë të mëdha të elektorateve të tyre që e kanë alergji frazën «zgjerim drejt Ballkanit»

Këtë rebus të vështirë politik, si mjeshtre në këtë fushë, BE-ja mund ta zgjidhë, pikërisht duke e shoqëruar apo dobësuar «Po»-në e saj me një sërë kushtesh/kërkesash lidhur me rezultate konkrete dhe premtuese në fushat e lartpërmendura. Problemi tani është nëse këto negociatat do të çelen pas plotësimit të kushteve, apo ato do të ecin paralelisht me zbatimin e tyre, çka është dhe më i parapëlqyeri për ne dhe për vetë BE-në. Kjo pasi kjo e fundit ka të drejtë të ndërpresë në çdo kohë negociatat, kur gjykon se kushtet në fjalë nuk po realizohen, siç ka vepruar me Serbinë. Sepse, BE ka në dorë « si gurin dhe arrën » Veç kësaj, kjo « Po » bashkë me « POR » është qetësues i efektshëm për elektoratet e vendeve të BE-së. Kështu, alarmit të tyre të mundshëm, ato do t’u përgjigjen se «po, vërtet që negociatat do çelen, POR vetëm kur të plotësohen kushtet dhe kërkesat tona, ndaj pa merak»

Kjo «Po me bishta» do të akomodonte edhe pozicionet e opozitës sonë, sepse dihet që në BE nuk do të hyjë vetëm qeveria ose shumica, por dhe opozita, gjithë Shqipëria.

Gjithashtu, kjo « Po » edhe pse kushtore do të ishte «hallvë e ftohtë» për vendet e mëdha me pretendime në Ballkan jashtë BE-së/SHBA-ve dhe do të japë një imazh më të mirë për vendin tonë edhe si kryesues i OSBE-së 2020. Në këtë mënyrë, do të zbatohet dhe shprehja jonë e urtë «mishi të piqet dhe helli të mos digjet»

Me shumë rëndësi do të jetë dhe faktori i gjashtë, dmth Maqedonia e Veriut, në kuptimin nëse vendimi do të merret për të dy vendet tona apo veç e veç, sipas meritave individuale. Ky diskutim është ende në proces.

Si përfundim, nuk ia vlen të humbitet më kohë me diskutime se kujt i takon merita për Po-në dhe faji për kushtet, por të përshpejtojmë zbutjen e situatës dhe të gjuhës politike, për të krijuar mjedisin e nevojshëm për dialogun e shumëpërfolur politik. Meqenëse ka ende kohë, është më e udhës që palët «të ulin heshtat» dhe të japin mesazhet e duhura qoftë dhe fillestare por premtuese drejt mirëkuptimit. Kështu do t’ia lehtësojmë dhe Këshillit të BE-së punën për një vendim pozitiv, qoftë dhe me kushte shoqëruese për çeljen e negociatave deri nga fundi i këtij viti apo qoftë dhe në fillim të vitit të ardhshëm. «Time is up», pra koha nuk pret më. Ndryshe të mos habitemi kur më 18 tetor të «mbetemi në klasë» e të na thonë «kthehuni në vjeshtën tjetër»