Ka shumë shqiptarë dashamirës që e shohin zgjidhjen e çështjeve kombëtare vetëm përmes heronjve të së shkuarës. Kjo është më e theksuar për komunitetin ortodoks, i cili është më i kapuri nga të huajt sot. Dëgjoj shpesh me dhimbje thirrmat dhe ofshamat e dëshpëruara, me a pa ankesa ndaj Zotit, në pritje të ardhjes së një Fanoli në botën shqiptare; për të bërë ato vepra të mëdha që u bënë shekullin e kaluar, domethënë ato që janë zhbërë sot.
Le ta lexojmë më mirë historinë tonë, për të rrëzuar bindjet e gabuara që kemi për të kaluarën.
Figurat e mëdha, sado të mëdha qofshin në historinë e kombit, nuk mund të bëjnë dot asgjë vetë dhe vetëm. Frytet e mëdha të pemës nuk varen vetëm nga pema, e cila pa klimën e përshtatshme, pa kujdesin, vaditjen e të tjera, jo vetëm që nuk mund të prodhojë, por edhe mund të thahet fare.
Ata që e kanë lexuar mirë jetën dhe sidomos veprën e Nolit, e dinë se talenti i tij gjenial, dhuntitë e larmishme, mungesa e identitetit kombëtar fillimisht dhe zbulimi i atdheut në rininë e vonë, rënia në dashuri me gjuhën dhe kombin shqiptar, të gjitha këto premisa, pra, e bënë shumë të përshtatshëm për lëvizjen shqiptare, gjë që u bë e mundur dhe dha fryte në histori për tri arsye:
1. Mbështetja ekonomike nga intelektualë e tregtarë shqiptarë për të shkuar në Amerikë.
2. Mbështetja ekonomike (rroga) e shqiptarëve ortodoksë që kur hyri në kishë si prift e deri sa vdiq si kryeprift.
3. Mbështetja politike e intelektualëve, kryesisht ortodoksë, dhe bashkërendimi me ta për çështjet kombëtare të kishës.
4. Mbështetja e shtetit shqiptar.
Nëse e lëmë mënjanë të parën, e cila sot nuk është aq e vështirë sa ç’ishte atëbotë, tri të tjerat janë e mbeten kushte dhe pengesa të pakapërcyeshme:
1. Mungon mbështetja ekonomike nga shqiptarët ortodoksë, të cilët në shumicë janë ateistë. Shqiptarët ortodoksë në Amerikë ishin besimtarë, por edhe të lidhur me komunitetin, prandaj dhe kishin nevojë për një qendër shpirtërore dhe kulturore, për kishën e tyre në gjuhën e tyre.
2. Mungon mbështetja politike nga intelektualët ortodoksë, të cilët në shumicë janë ateistë dhe kanë komplekse të përzihen me besimin. Një pjesë e mirë e tyre janë kompromentuar, një pjesë janë blerë dhe ata të paktë që mbeten dashamirës, janë interesaxhinj dhe frikacakë.
3. Mungon mbështetja e shtetit shqiptar, ku atdhetaria konsiderohet jashtë mode. Jo vetëm që nuk ka mbështetje për projekte kombëtare, por gjithë projektet antishqiptare që janë realizuar përmes kishës sonë këta tre dhjetëvjeçarë, janë bërë dhe bëhen me lejen e autoriteteve shqiptare të të gjitha partive qeverisëse.
Për më keq, armiqtë historikë të kombit shqiptar e kanë sot më të lehtë se kurrë për të vepruar në Shqipëri.
Nën dritën e fakteve, pra, me këto mungesa-premisa, është e pamundur të bëhen sot ato që u bënë shekullin e kaluar.
Duhet t’i thërrasim mendjes atëherë dhe të shpresojmë për një milioner dhe jo për një Fanol.
Nuk është e vërtetë se nuk kemi sot shqiptarë të kalibrit të Fan Nolit. Ka mjaft të tillë, por punojnë për shtete të tjera.
* * *
Potenciali i sotëm intelektual në botën shqiptare është më i madh se kurrë në histori. Dhe megjithatë, sot jemi më mbrapa si komb. Pavarësia e Shqipërisë ekziston sepse e duan të huajt dhe jo se e mbrojnë shqiptarët. Jemi në mëshirë të gjeopolitikës. Sidoqoftë, nuk jemi të pavarur as në politikë e as në fe.
Ky fakt, potenciali i madh intelektual në botën shqiptare sot, duhet të jetë shumë zhgënjyes për rilindasit, të cilët besonin përnjimendsh se arsimimi i shqiptarëve do t’i bënte ata më atdhedashës. Përkundrazi.
Intelektualët e Rilindjes ishin më të paktë dhe në shumicë ishin të nivelit mesatar, por ata bënë shumë më tepër se intelektualët e sotëm, shumë prej të cilëve janë mbi mesataren dhe mjaft prej tyre tepër të kompletuar. Shkollimi nuk të bën me domosdo atdhetar a qoftë dhe njeri të mirë.
* * *
Pritshmëria shqiptare për ardhjen e një Fanoli i ngjan historisë së popullit të lashtë izraelit, i cili priste Mesinë për qindra vjet, shpëtimtarin, pra, ashtu siç ishte parashikuar e premtuar në Shkrime. E prisnin që të vinte e të zgjidhte problemet e mëdha të kombit, siç i kishin zgjidhur mbretërit dhe profetët e tyre në të kaluarën.
E vërteta është se ne si komb nuk kemi premtime të tilla në histori. Nga ana tjetër, përderisa nuk ka dalë ndonjë shqiptar që të bëjë diçka të ngjashme e të prekshme si Imzot Noli, atëherë shqiptarët emërojnë “pasardhës të Nolit”, sipas cektinës a interesave të secilit grup, atje ku oportunizmi dhe sharlatanizmi bëhen vëllezër për vdekje. Për të qarë e për të qeshur.
Gjithsesi, shumica e shqiptarëve janë pajtuar me faktin se nuk ka gjasa sot që të na shfaqet një njeri si Fan Noli. Prandaj dhe i thërrasim ndonjëherë në erë, si për t’u ngushëlluar: “Ngrehu e fol dhe një herë”!
Pavarësisht nevojës shpirtërore për t’u ngushëlluar dhe shpërthimeve emocionale të domosdoshme për t’u çliruar, ju siguroj sot me bindje të plotë se Imzot Fan Noli nuk do të ngrihet nga varri, sado fort që t’i thërrisni. Ulërini sa të doni. O do ngrihemi të gjithë, o s’do ngrihet askush! Mblidheni mendjen.