Nga: NDRIÇIM MEHMETI *
Testimi është (anti) reforma më e fundit e qeverisë. Ndonëse jo me shumë qartësi, Ministria e Arsimit e kishte paralajmëruar një testim masiv të të gjithë mësuesve, kohë më parë. Fillimisht u fol për një testim seleksionues, nga i cili do të dilnin mësuesit e paaftë, pastaj për një vlerësim të tyre, e në fund, duket se testimi “është skanim dhe ndihmë për mësuesit”. Për të mos mbetur mbrapa kësaj iniciative revolucionare, edhe Ministria e Shëndetësisë, paralajmëroi për një testim të të gjithë mjekëve dhe infermierëve. Mirëpo këtyre të fundit u “ngeci sharra në gozhdë”. Mjekët nuk shtrembëruan fytyrën, as psherëtinë nëpër lokale kundër ministrisë, por morën guximin dhe dolën në televizion. Nga Tirana, në Vlorë, Fier, Durrës, Shkodër e me radhë. Ata denoncuan këtë veprim arbitrar të MSH, duke paralajmëruar një bojkotim masiv të një testimi të mundshëm për ta. Ndërkaq, mjekët gjetën rastin “t’i hapnin petët lakrorit dhe t’i tregonin ministrisë detyrimet për shëndetin e popullit dhe gjendjen e mjeruar, në të cilën është katandisur mjekësia sot.
Po përse mësuesit nuk kundërshtojnë si mjekët?
Me shumë mundësi nga frika e humbjes së vendit të punës. Që prej gati një viti mësuesit mbahen nën terror, duke nxjerrë “yçkla”, që bëjnë vaki vetëm në sistemin e arsimit në Shqipëri dhe askund tjetër në botë. Nuk ka asnjë vend ku mësuesve t’u dërgohet letër se keni punuar mirë dhe do të punojmë “fort me të gjithë ju për të rilindur arsimin” dhe më pas t’u thuhet se “janë të paaftë”, “pinë alkool”, “nuk dinë të japin mësim”, “janë partiakë”, jashtë profilit brenda profilit etj., etj. Pastaj u thuhet se do të jeni në provë, pasi do të hapim portalin dhe më të zotët mund t’ju zëvendësojnë. Pastaj u kërkohet nga data 31 dhjetor deri më 2 janar të dorëzojnë detyrimet ndaj shtetit, për drita dhe ujë. Në fund u deklarojnë se do të rrinë në punë vetëm në rast se kalojnë testin. Si do të bëhet testi, kush do ta bëjë, cilët janë mësuesit që do ta vlerësojnë? Kjo nuk ka fare rëndësi. Rëndësi ka të testojmë të gjithë: mësues, tatimorë, doganierë, mjekë, infermierë, bukëpjekës, sallambërës, shitësit ambulantë dhe pensionistët në veçanti. Por nga të gjithë këta, i vetmi që nuk do të kundërshtojë është mësuesi. Thua mësuesi ta kapërdijë dhunimin dhe denigrimin e tij vetëm nga frika se e pushojnë nga puna? Nuk e besoj se është vetëm kjo. Mësuesi nuk e ndien veten ndër njerëzit që ky shtet i respekton. As buzëqeshjet, as skërmitja e dhëmbëve dhe grushtet e kryeministrit drejtuar atyre e as përkëdheljet dhe sharjet e ministres nuk ia ndryshuan dot statusin mësuesit. Përkundrazi. Mësuesi u vu gjithnjë e më shumë nën thundrën dhe diktatin e shtetit. Në asnjë rast siç ndodh sot, Ministria e Arsimit nuk ka qenë punëdhënëse e mësuesve. Nuk ka ndodhur asnjëherë, që një ministër të marrë përsipër një barrë kaq antiligjore, antikushtetuese dhe kaq arrogante, sa të caktojë se kush janë mësuesit, ku do të punësohen, sa pikë kanë marrë etj. Nuk ka ndodhur që një ministër të jetë edhe drejtuesi politik i institucionit, edhe menaxher i politikave arsimore, edhe organizuesi edhe vlerësuesi i një procesi, që gjithsesi mbetet i paligjshëm. Madje, ministri uzurpon edhe kompetencat e drejtuesit të shkollës, të cilit i takon me ligj të punësojë një mësues. Kësaj i thonë “vetë vali e vetë kadi”. Por mësuesit, përsëri heshtin. Kontrata kolektive e tyre ka përfunduar që më 31 dhjetor 2014, kontrata e re ende nuk është nënshkruar. Kështu që mësuesit janë të detyruar të heshtin. A janë mësuesit po aq të cenuar sa mjekët? Mësuesit janë shumë më të cenuar dhe të dhunuar se mjekët. Ndërsa mjekët mund të punësohen dhe dy punësohen në klinika dhe spitale private, mësuesit kanë vetëm një burim, rrogën që iu jep shteti. Natyrisht që nuk duhet të përjashtohen në këtë rast mësuesit që bëjnë kurse private me nxënësit e tyre, duke përfituar para në mënyrë të paligjshme. Sikundër nuk kemi asnjë rast të identifikuar nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, që të na bëjë të ditur sesa dhe në ç’masë është përhapur ky fenomen, i përfolur shumë, por i paprovuar deri më sot. Pra, mësuesi është i varur nga ato të ardhura që shteti i jep për shërbimin e tij dhe i pamundur të përfitojë në rrugë të tjera të ligjshme. Edhe një shpresë e vetme që kishte për të marrë ca të holla nga vlerësimi i testeve në Maturën Shtetërore, apo provime të tjera, u gropos së bashku me borxhet që shteti nuk ua njohu kurrë.
Mësuesi hesht edhe…
Mësuesi hesht edhe se janë gati ata që duan të zëvendësojnë. Mjaftoi një fjalë e vetme, e “pakontrolluar” e një mësuesi nga vendi i kryetarit të parlamentit, në adresë të drejtuesve të Zyrës Arsimore dhe të nesërmen e gjeti veten, “jashtë profilit” dhe “pa arsim përkatës”. Në fakt, sipas mësuesit të larguar, ai ishte i “padenjë për PS-LSI”. Kështu që LSI-ja e gatshme dhe në ndihmë të zgjidhjes së halleve të popullit, gjeti zëvendësuesin, jo nga Portali i MAS, por i partisë. Më vonë është e sigurt, që mësuesi i portalit partiak do të fitojë edhe konkursin. Mësuesi, nuk mund të hapë gojën, se sindikatën nuk e sheh gjëkundi. Mbase këta të fundit po hartojnë një strategji interesante për arsimin, ose po negociojnë me gjithë fuqitë që kanë për kontratën kolektive. Mësuesit nuk e hapin gojën se mund të vijë letra se janë debitorë dhe pastaj, t’i bëjnë vend kokës. Mësuesit e dinë që një kolegu i tyre në Tiranë u thirr urgjent në datën 30 dhjetor 2014 të shpjegonte sesi dilte debitor me 200 lekë të vjetra, kur ndërkohë një punonjës jo pak i rëndësishëm në MAS, për nga detyrat që i ngarkohen sesa posti që ka, i detyrohej shtetit miliona lekë të vjetra. Natyrisht, këtij të fundit iu la pak më shumë kohë që t’i paguante lekët dhe jo si mësuesi që në datën 2 janar duhet të kishte shlyer detyrimin ‘marramendës’ prej 200 lekësh. Kot nuk thonë se “s’u bëmë si këmbët e dhisë”. Si mund të trajtohet një zyrtar i MAS, ISHA, AUIZN-it etj., njësoj me një copë mësues? Ai që punon në këto institucione ka më shumë vlerë, i lejohet ndonjë gabim i vogël. Mësuesit duhet t’ia marrim shpirtin. Shtetit i duhet të vjelë deri në fund 200-lekëshin. Sa për debitorët “VIP”, me 6,7, 8, 9, 10 apo më shumë milionë lekë, për ata bëhet njëfarë lëshimi. Po t’i kishte një mësues kaq shumë lekë borxh OSHEE, çdo të ndodhte? Do të burgosej, humbiste vendin e punës edhe pse ndonjë gjykatës zemërmirë, do ta quante të paligjshëm këtë procedurë. Po e vërteta është që mësuesi nuk tolerohet. Madje ai në datën 10 të çdo muaji duhet të dorëzojë te drejtori i shkollës, librezën e firmosur nga OSHEE dhe zyrat e ujësjellësit, që vërtetojnë se ka shlyer detyrimet e tij.
Tani priten të ndërmerren edhe masa të tjera të rëndësishme. Mësuesve (jo vetëm atyre të edukimit fizik), do t’u kërkohet hesap për dietën që mbajnë, ushqimin që hanë, ku e hanë, oraret, ku i blejnë perimet, zarzavatet e me radhë. Arsimi do njerëz elegantë e jo “barkderra”. Po kështu, mësuesve dhe drejtuesve të shkollës do t’u shpërndahet një qarkore që ka në thelb këto pika kryesore: 1. Ditën e hënë, mësuesit do t’u lexojnë nxënësve, pjesë të fjalimeve të udhëheqësit Rama, në lidhje me pagesën e energjisë elektrike, rëndësinë e saj dhe ndëshkimi në rast se bëhet e kundërta. 2. Të gjithë nxënësit çdo të mërkurë të javës së dytë, të marrin prindin përdore, që t’i tregojë mësuesit dhe drejtorit librezën e OSHEE, përndryshe, nuk pranohen në mësim. 3. Nxënësit duhet të vigjilojnë në lagje dhe të raportojnë se kush e vjedh energjinë elektrike. Padyshim që kjo është reformë. Mandej do të na shitet si e drejtë kushtetuese, brenda ligjit, kërkohet nga BE-ja dhe gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë.
Motoja e kësaj qeverie, në mungesë të punëve reale dhe dështimeve që i kanë zënë frymën është: të gjithë, në test, test për të gjithë dhe ndëshkim për këdo që nuk do të marrë pjesë. Dorës së hekurt e Ministrisë së Arsimit dhe kryeministrit tonë “të butë me popullin, por të rreptë kur duhet” nuk do t’i shpëtojë, ajo që quhet në çdo shoqëri, shtresa më fisnike: mësuesit.
Por për ministren e Arsimit dhe bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë, mësuesit janë një subjekt i çfarëdoshëm, pa asnjë të drejtë dhe vetëm me detyrime. A do ta pranojnë mësuesit këtë fyerje të dinjitetit të tyre, apo do të kundërshtojnë si mjekët? Me siguri do të ulin kokën, ndërsa mjekët mbeten e fundit shpresë, për të fituar e drejta kundër ligësisë së pashpirt të një grushti njerëzish, që nuk ia kanë haberin se çfarë është arsimi dhe mjekësia.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: