Pas tre javë luftimesh, Rusia po has ende në vështirësi për të zbrapsur forcat ukrainase nga rajoni i Kurskut, një reagim befasisht i ngadaltë dhe modest ndaj pushtimit të parë të territorit të saj që nga Lufta e Dytë Botërore.

E tëra ka të bëjë me numrin e ushtarëve rusë dhe përparësitë e Rusisë.

Me shumicën e forcave të saj të angazhuara në ofensiva në brendësi të Ukrainës, Kremlinit duket se i mungojnë rezervistët për të zbrapsur forcat e Kievit.

Presidenti Vladimir Putin duket se nuk e konsideron sulmin – ose të paktën nuk po e jep përshtypjen që e konsideron atë si kërcënim mjaft serioz, që të meritojë tërheqjen e forcave ruse nga rajoni i Donbasit, në pjesën lindore të Ukrainës, që është edhe objektivi i tij kryesor.

“Përqëndrimi kryesor i Putinit është shkatërrimi i shtetit ukrainas, çka automatikisht, e bën të parëndësishëm kontrollin e territorit të humbur”, shkruan analistja Tatiana Stanovaya nga Qendra ‘Carnegie’ për Rusinë dhe Euroazinë.

Përparësitë e Presidentit Putin

Në muajt e parë pas sulmit ndaj Ukrainës në fillim të vitit 2022, Presidenti rus Putin aneksoi në mënyrë të paligjshme rajonet ukrainase të Donetskut, Luhanskut, Zaporizhias dhe Khersonit dhe marrja e tyre e plotë është përparësia e tij kryesore. Në muajin qershor ai deklaroi se si kusht për bisedime paqësore, Kievi duhet të tërhiqte të gjitha forcat nga pjesët e këtyre rajoneve, një kërkesë që Ukraina e kundërshton.

“Rusia po bën çmos që të mos i tërheqë forcat nga ofensiva e saj në Donbas”, thotë analisti Nigel Gould-Davis nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike. “Aktualisht Rusia gjykon se mund ta ketë nën kontroll kërcënimin që i vjen territorit e saj, pa rrezikuar qëllimin më të rëndësishëm në Ukrainë.”

Ndërkohë që forcat ukrainase u futën në rajonin e Kurskut më 6 gusht, trupat ruse vazhduan të avancojnë drejt qytetit strategjik Pokrovsk dhe pjesëve të tjera në rajonin e Donetskut

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb