TIRANË

Policia e Tiranës ka vënë në pranga anëtarin e tretë të një grupi kriminal që vinte gjoba. Operacioni “Përsëritësit” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e gjobëvënies ka nisur në muajin gusht ku u arrestuan dy anëtarët e tjerë te këtij grupi.

Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në D.V.P Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, në vijim të operacionit Përsëritësit”, pas një pune të mirëorganizuar dhe hetimi disajavor bëri të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit Valter Ukcamaj, 35 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë.

Shtetasi Valter Ukcamaj ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se ky shtetas në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të një grupi të strukturuar kriminal, dy prej të cilëve u arrestuan gjatë operacionit “Përsëritësit”, dyshohet se është autor i disa rasteve të shtrëngimeve me anë të kanosjes për dhënie pasurie, ndodhur në periudha të ndryshme kohore në qytetin e Tiranës.

Nga ana e grupit hetimor vazhdon puna intensive për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre ngjarjeve dhe disa ngjarjeve të tjera që dyshohen se janë kryer nga këto persona.

Materialet do i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie” e kryer në bashkëpunim.

Në 2 gusht të këtij viti, policia arrestoi dy persona të tjerë të këtij grupi, njëri prej të cilëve Edmond Gecaj rreth 30 vjeç, i njohur si koka e grupit.

Gecaj nuk ishte emër i panjohur për policinë pasi në mars të vitit 2016, së bashku me personin me iniciale S.M, tentuan të vrasin me thikë presidentin e klubit të Korabit, Fehmi Mëziu, por ndërhyrja në kohë e Policisë shmangi ngjarjen e rëndë.

“Këta shtetas dyshohet se i kanë vendosur gjobë 12.000 euro një shtetasi, të cilit i kanë marrë 7.500 euro”, deklaronte Policia në muajin gusht.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb