TIRANË
Kryetari i PD-së Sali Berisha u ndal sot dhe te aksioni në Prestige Resort, teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama se bën gjithçka që të mposhtë fjalën e lirë në këtë vend.
Berisha tha se janë tre rrjete televizive brenda 6 muajve viktima të tij.
“Dje kishim Presidentin e Gjermanisë në Tiranë. Si për ta përshëndetur atë, i fut rruspat një resorti turistik, personalisht nuk kam qenë kurrë tek ai resort, po aq më tepër që ai ishte me leje. Të gjithë kemi dokumentin që ishte me leje. Po si mund të bëhet kjo? Ka bandit mbi tokë që mund ta bëjë një gjë të tillë? Pse e bën këtë, vetëm e vetëm pse do t’i diktojë politikën editoriale të atyre mediave që ai ka. Pra, ai bën gjithçka që të mposhtë fjalën e lirë në këtë vend. Dua t’jua them, e ka trashëgimi ai. I ati i tij firmoste varjen e Havzi Nelës për fjalën e lirë, e dinte se bënte akt xhelati, por e meriton thoshte me ndërgjegjen e tij çnjerëzore se është armiku im. Edhe ky e meriton, ky biznesmen, ky gazetar apo kjo media sepse më kundërshton mua. Jemi në kushtet kur ky pasi ka marrë të gjitha pushtet do të mposhtë fjalën e lirë, të mposhtë median. Janë tre rrjete televizive brenda 6 muajve viktima të tij. Televizionin Ora e konfiskoi me firmën e tij, vetëm e vetëm se Ylli Ndroqi nuk pranoi pazaret me të. Është me regjistrim, në qoftë se nuk e kanë zhdukur si regjistrimet e Taulantit, kur i kërkonte një miliarderi që do ndërtonte një kullë te bulevardi i ri, i thoshte ‘i thuaj 20%’, 100 mln dollarë. Ky i thotë jo nuk mund t’i them këtë, se nuk ka njeri që pranon t’i dhurojë 100 mln dollarë dhe këtu fillon procesi. Nuk ndodh në botë kjo, kërkund.
Media tjetër ka angazhuar një biznesmen dhe e ka blerë. S’kam kundërshtim Mua më vjen mirë që bizneset e Kosovës të shtrihen në Shqipëri, por një paralajmërim do ia bëj. Në qoftë se e shndërron në altoparlant median, apo e ke blerë me atë qëllim për ta shndërruar në altoparlant të Edi Ramës atëherë bën një gabim të jashtëzakonshëm sepse për ne liria e fjalës, liria e medias është shumë e shtrenjtë. Brenda 6 muajve tre media njëra pas tjetrës japin shpirt”, deklaroi Berisha.