Afera e inceneratorit të Elbasanit nisi të projektohej nga zyrat e Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës.
News 24 disponon emailet që Etleva Kondi, vartëse dhe bashkëpunëtore e afërt e ministrit Damian Gjuknuri ka shkëmbyer me bosët e inceneratorëve, përpara se ajo të propozohej si përfaqësuese e Ministrisë së Energjetikës, në komisionin për dhënien e koncesionit.
Konkretisht, më datë 26 gusht 2014, Etleva Kondi i dërgon në email Klodian Zotos, një vendim të Bashkisë së Elbasanit, për shpalljen e emergjencës mjedisore.
Në email ajo duket se iu drejtohet si Mirel Mërtirit ashtu dhe Klodian Zotos, përderisa ju thotë “Klodër”, duke nënkuptuar edhe Mërtirin, i cili më herët ka pasur emrin Klodian.
“Klodër, kini parasysh si vijon: së pari bashkia Elbasan duhet të miratojë këtë në Këshillin Bashkiak (nuk jam e sigurt para apo pas shkresës që do t’ju nisë juve”. Së dyti, duhet të krijojë një komision të dhënies së koncesionit, që do t’ia bëjmë gati ne (në ligj parashikohet që mund të marrin ekspertë të fushës që kështu mund të jem edhe unë me ndonjë kolege”, shkruan ndër të tjera Kondi.
Sikurse rezulton nga dosja, ky e-mail është dërguar 4 muaj, përpara se Koli Bele sekretar i Përgjithshëm pranë Ministrisë së Energjetikës, t’a propozonte atë si anëtare të komisionit të dhënies së koncesionit.
E-maili i mësipërm, nxjerr në pah faktin se Etleva Kondi, me gjasë me dakordësinë e Ministrit të jetë paracaktuar për të qenë në atë detyrë, sikurse ajo vetë i shkruan Mërtirit e Zotos, që “në komision mund të jem edhe unë”. Një tjetër e-mail që ish vartësja e Gjiknurit ia ka dërguar Zotos është ai i datës 2 nëntor 2014. Në rrugë elektronike ajo i përcjell kontratën koncesionare për inceneratorin, që përbëhet nga 79 fletë.
“Përshëndetje Klodër! Në draftin bashkangjitur kam bërë një parashikim të përgjithshëm. Selektimet me ngjyra duhen saktësime dhe modifikime të cilat do ti diskutojmë paraprakisht”, shkruan Kondi.
Ish-anëtarja e komisionit të dhënies së koncesionit akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim, për aferën e inceneratorit të Elbasanit, për të cilin janë marrë të pandehur edhe ish ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish deputeti socialist Alqi Bllako. Nën akuzë për korrupsion e pastrim parash janë edhe Mirel Mërtiri e Klodian Zoto të cilët konsiderohen si boset e inceneratorëve.