Një valë e re dhe e përgjakshme përleshjesh ka përfshirë Jemenin, ku mbi 300 persona raportohet se kanë humbur jetën dhe qindra familje janë detyruar të braktisin banesat e tyre për t’i shpëtuar luftimeve.

Përplasjet janë intensifikuar në jugperëndim të vendit, ku rebelët Huthi kanë nisur një ofensivë të re, duke synuar avancimin drejt zonave përreth ngushticës strategjike Bab el-Mandab, një nga korridoret detare më të rëndësishme në botë.

Luftimet e ashpra kanë detyruar qindra familje të largohen gjatë fundjavës dhe të kërkojnë strehim në kampet për personat e zhvendosur në zonën e Taizit.

Gazetarët e AFP kanë parë banorë që mbërrinin me kamionë, duke marrë me vete gjithçka që kishin mundur të shpëtonin dhe duke ngritur tenda të improvizuara në zona të hapura.

Një banor nga Makbana ka treguar se familja e tij u largua me nxitim, ndërsa përshkroi të shtëna që vinin nga disa drejtime.

Një tjetër person i zhvendosur nga Jabal Habashi tha se kishte parë njerëz të vrarë dhe të plagosur në rrugë, ndërsa mungonin mundësitë për t’u dhënë ndihmë.

“Jemi të bllokuar këtu, të uritur dhe pa asgjë për të ngrënë”, mësohet të ketë deklaruar ai.

Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, rreth 1,790 familje janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që prej së premtes, për shkak të bombardimeve të rënda dhe luftimeve.

OKB-ja ka paralajmëruar për mundësinë e një “zhvendosjeje dytësore në shkallë të gjerë”, pasi shumë prej familjeve që po largohen janë persona që kanë përjetuar zhvendosje edhe më parë.

Vetëm nga pasditja e së shtunës deri në mëngjesin e së dielës, më shumë se 140 persona raportohet se janë vrarë. Dy zyrtarë qeveritarë thanë se 84 pjesëtarë të forcave të tyre kishin humbur jetën, ndërsa burime të lidhura me rebelët Huthi raportuan 57 luftëtarë të vrarë.

 

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb