Rrëzë malit të Lisecit, në fshatin Holtas, një burrë frymon, por vetëm jetë nuk e quan. Nazif Llapushi është gozhduar në shtrat i paralizuar. 63-vjeçari është në këtë gjendje prej 15 vitesh. Kur dhimbjet janë të padurueshme Nazifi e ka gati të pamundur të vizitohet.

Spitali më i afërt është ai në qytet në Gramsh. Me makinë i duhen 2 orë. Por për të zbritur maleve, në mungesë të një rruge automobilistike i duhet edhe një orë, në total 3 orë. Nazifi thërret bashkëfshatarët ta ndihmojnë me barelë për të zbritur nga fshati Holtas në Gramsh.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Udha është e vështirë dhe gati-gati e pakalueshme, stafit të xhirimit i mbeti makina në mes të “rrugës”. Pas dy orësh udhëtim me fuoristradë nga qyteti i Gramshit, stafi eci edhe një orë tjerët në këmbë për të mbërritur në fshatin Holtas. Fshati është i braktisur si shumë fshatra të thellë të Gramshit. Banesat këtu janë braktisur masivisht.

Lagjja “Llapushaj” duket e braktisur, nuk ka rrugë komunikimi, ka pak banorë. Fqinjët këtu janë dëshmitarë të një historie dramatike. “Familja Llapushi vuan për bukën e gojës, kryefamiljari është i sëmurë, gjendja e tyre është skandaloze. Nazifi rri vetëm shtrirë, duhet shpërngulur urgjentisht. Ata nuk kanë as shtëpi. Atij i duhet të jetë afër spitalit. Na vjen keq edhe për fëmijët” shprehen ata.

https://youtu.be/jbUGPNtwGks

“Jam i paralizuar, duart dhe duart nuk i lëviz dot, kam ardhur qysh në këtë ditë. Kam qenë duke punuar tokën kur u rrëzova. 5 orë kam qëndruar i shtrirë, më morën më dërguan në spital më tha kjo sëmundje një në 100 vjet bie më thanë, më ra mua. Jeta ime është tmerr, më mirë të kisha vdekur, kur prishet koha 2 ose 3 orë të zbres në rrugë me barela nga fshatarët. Vuaj shumë, edhe transporti do lekë të shkoj në spital, nuk kam. Shtëpia nuk është e imja, jetoj me qira. Shtëpia ime është prishur. Rri, rri qaj, jam mërzitur shumë, as gjumi nuk më zë. Unë bëhem keq kur mendoj shumë. Nuk kam bërë faj… Diell nuk kam parë më sy. Unë them kur vjen behari a çelin lulet? A u ngrys? Të kisha spitalin afër….ndonjë ushqim të kisha…E them me gjithë shpirt më ndihmini nuk duroj dot, kam dhimbje të mëdha”, shprehet Nazifi

“Nuk kemi të hamë, asnjë nuk kemi, buka e gojës na mungon”. “Shumë keq jemi, por ky fat na ra”, thotë djali. “Na ndihmoni të shpëtojmë nga ky ferr dhe ky makth”, thotë Majlinda, bashkëshortja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb