TIRANË- Janë përuruar sot mjediset e reja të Bankës së Shqipërisë, e cila prej 2 vjetësh ndodhej në rikonstruksion. Me këtë rast në Bankën e Shqipërisë është organizuar një ceremoni. I pari që përshëndeti këtë aktivitet ishte Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko.

Kryeministri Edi Rama i pranishëm në këtë ceremoni e quajti këtë investim një moment të bukur në historinë e Tiranës, pasi i sjell një vepër arkitektonike dhe një pikë referimi. Rama tha se ky investim nuk është një luks i tepër por një investim në kohën e duhur për t’i dhënë këtij institucioni atë që i takon.

“Ky investim mund të konsiderohet si luks i tepërt por, për sa më takon mua dhe për aq sa rëndësi ka ky institucion për vendin, nuk është luks i tepërt, por investim i bërë në kohën dhe vendin e duhur, për t’i dhënë mundësinë njerëzve që punojnë në këtë institucion, mundësinë për të patur rezultate në punën e tyre, në lartësinë e ambicieve të këtij institucioni”, nënvizoi Rama.

Në fjalën e tij, nuk mungoi vlerësimi për punën e bërë nga arkitektët, duke vënë në dukje ruajtjen me kujdes të vlerave historikë që mbart në stilin e saj godina e BSH. “Kjo është godinë historike, me një brishtësi përballë çdo nevojë për ndërhyrje dhe transformim, ndaj jam i kënaqur dhe krenar që, modestisht, kam qenë pjesë e kësaj nisme, pasi si kryetar bashkie kam mikpritur në zyrën time ish Guvernatorin Fullani me arkitektët kur nisi ky projekt, dhe më tutje, ka qenë fat për mua të jem pjesë e projektit në vazhdim, transformimin e ngrehinës së hotel Dajtit në një tjetër pjesë të BSH”.

Kreu i qeverisë foli me nota të larta vlerësimi për punën BSH, duke e konsideruar atë si institucionin që gëzon besimin më të lartë si nga opinioni publik shqiptar ashtu edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.

“Jam i bindur se BSH meriton konsideratën më të lartë për të gjithë punën që kryen, si një institucion që realisht ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe delikat, në momente aspak të lehta për vendin tonë dhe se deri sot ka provuar është institucioni që gëzon besimin më të madh që në opinionin publik, por edhe në institucionet financiare ndërkombëtare”, vlerësoi Kryeministri Rama.

Për më shumë se 70 vjet, ndërtesa e Bankës së Shqipërisë ka strehuar brenda saj shumë prej institucioneve më të rëndësishme financiare të vendit, si Banka e Shtetit, Ministria e Financave apo dhe si filial i B.K.T.-së për qytetin e Tiranës.

Projekti fitues, i cili vuri në zbatim edhe në praktikë, restaurimin e Bankes është realizuar nga arkitekti italian Marco Petreschi. Arkitekt Petreschi, mban titullin profesor dhe është Shef i Katedrës së Arkitekturës në Universitetin “La Sapienza” të Romës.

Arkitekt Petreschi, përveç krijimtarisë së tij arkitekturore, është edhe një njohës i thellë i kulturës dhe traditës së arkitekturës italiane të epokës së racionalizmit, kur është realizuar projekti i Morpurgos. Qëllimi primar i këtij projekti është rikthimi në gjendjen fillestare (projekti origjinal) i ndërtesës.

Çdo ndryshim, shtesë ose ndërhyrje e realizuar nga viti 1938 e deri më sot do të eliminohet. Gjatë procesit të rikonstruksionit të ndërtesës, elementët e ndryshëm arkitekturorë (dyer, dritare, rifinitura të ndryshme) u rifreskuan, me restaurime ose edhe me zëvendësime, të cilat do t’i përkasin të njëjtin material, formë, teknologji, etj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb