Të martën u përurua nisja e punimeve në autostradën nga Tetova për në Gostivar, si pjesë e Korridorit 8, ndërtimin e së cilës do ta bëjë konsorciumi i njohur Bechtel-Enka.
Autostrada do të vazhdojë deri në Strugë dhe Qafë Thanë, ndërsa pjesa tjetër nga Prilepi në Manastir bëhet në kuadër të Korridorit 10 – d. I gjithë projekti kap vlerën prej 1.3 miliardë eurove dhe kjo ka nxitur mjaft debate në vend, në veçanti pas angazhimit të kompanive lokale për mbikëqyrjen e punimeve.
Hedhja e gurthemelit për fillimin e ndërtimit të autostradës nga Tetova drejt Gostivarit po bëhet në një kohë kur janë shtuar kritikat në median lokale për mungesën e transparencës lidhur me tenderin e ndërtimit të kësaj infrastrukture, sa të rëndësishme po aq dhe të kushtueshme.
Autostrada me nga tre korsi në secilin prej kaheve do të vazhdojë drejt Kërçovës, Strugës deri në Qafëthanë në kufirin me Shqipërinë, në një gjatësi prej 69 kilometrash në kuadër të Korridorit 8 dhe pjesa tjetër që do të lidhë Prilepin me Manastirin në gjatësi prej rreth 40 kilometrash të Korridorit 10-d do të kushtojë 1 miliard e 300 milionë euro.
Vetëm shpronësimet llogariten të kushtojnë 300 milionë euro. Punimet do t’i kryejë konsorciumi i njohur amerikano-turk Bechtel-Enka.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski aktin e sotëm e quajti një fillim serioz të një vepre strategjike dhe shtetërore, “leverdinë e së cilës do ta shikojnë gjeneratat e tanishme dhe ato të ardhme të vendit, por edhe vendet kufitare në lindje dhe perëndim, të cilat lidhen me korridorin 8”.
“Kjo qeveri me vite dëshmon se kujdeset për realizimin e çështjeve të mëdha strategjike të shtetit, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për çështje të brendshme apo të jashtme”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler tha se ky investim bëhet për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut dhe të gjitha vendeve të cilat lidhen me korridorin 8 dhe më gjerë.
“Besoj se ndërtimi do të ecë shpejt dhe me sukses duke bërë afrimin më të shpejtë dhe në mënyrë të rehatshme të njerëzve të këtij rajoni në këtë rrjet modern të rrugëve”, tha ambasadorja Aggeler.
Presidenti i Kompanisë Bechtel, Shaun Kenny theksoi se angazhimi i konsorciumit Bechtes-Enka do të sigurojë punësimin e banorëve lokalë, ndërsa “programet e trajnimit do të mundësojnë aftësimin në aspekt afatgjatë të punëtorëve të ndërtimit për projekte të ardhshme infrastrukturore në Maqedoninë e Veriut”.
Projekti i madh është cilësuar si kontravers nga një pjesë e medias dhe opozitës maqedonase duke hedhur dyshime për korrupsion në këtë ndërmarrje sidomos për shkak të angazhimit të kompanive për mbikëqyrjen e ndërtimit, që janë dy maqedonase dhe një spanjolle, të cilat, sipas kritikëve, nuk kanë dëshmuar ndonjë profesionalizëm, janë akuzar për korrupsion, madje njëra të jetë themeluar vetëm ndonjë javë para marrjes së tenderit.