DURRËS- Zona simbol e Durrësit, ajo që njihet nga durrsakët si Vila e Zogut, po rikthehet në identitet për shkak të projekteve infrastrukturore që kanë nisur të realizohen aty. Banorët e kësaj zone do të kenë në shërbim të tyre një rrugë sa bashkëkohore aq edhe turistike.

“Rruga e kodër vilës është vetëm fillimi, pasi shumë shpejt do të rikualifikohet i gjithë parku i kësaj kodre, me më shumë hapësira publike për qytetarët. Gjithashtu do të investojmë në dy projekte të mëdha në këtë zonë turistike si dhe do të ndërtojmë një plazh të ri në Currila”, ka deklaruar kryebashkiaku i Durrësit dhe kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane Vangjush Dako gjatë përurimit të rrugës së Kodër Vilës.

Dako deklaroi se kjo rrugë është një premtim i realizuar që i shërben banorëve të lagjes 1 por edhe të gjithë qytetarëve të Durrësit. Ai theksoi gjithashtu se rikonstruksioni i kësaj rruge në bazë të një konceptimi të ri është i rëndësishëm pasi ky është fillimi i rikualifikimit të të gjithë parkut të kësaj zone.

“Punët që kemi bërë në Durrës janë një model sipas të cilit brenda dy viteve do të rikualifikohen të gjitha zonat e Ishmit, Manzës, Sukthit, Katundit të Ri dhe Rrashbullit që i shtohen Bashkisë së Durrësit”, tha Dako

Më pas kryebashkiaku ka bërë me dije edhe projektet e reja që do të realizohen gjatë mandatit të ardhshëm: “Në zonën e Currilave plazhet publike dhe private do të jenë në raportin 50% me 50%, ndërkohë që në këtë zonë vitin e ardhshëm do të ndërtohet një plazh i ri publik ku do të mbushim me rërë një zonë të gjerë rreth 100 metra. Po kështu në zonën turistike do të ndërtohen dy projekte madhore njëri në sheshin përpara portit me vlera të rralla arkitektonike që do të thithë shumë turistë dhe një projekt tjetër do të jetë përpara mauzoleumit të dëshmorëve ku do të ndërtohet sheshi i drejtësisë. Në këtë shesh publik me standarde moderne do të ndërtohen godinat e gjykatës dhe prokurorisë e në qendër të tyre do të jetë mauzoleumi ndërkohë që po aty do të ndërtohet edhe biblioteka e re e qytetit.

Gjatë mandatit tjetër Durrësi do të përfitojë edhe nga projekti i qeverisë për ndërtimin e 40 shkollave të reja në hapësirën Tiranë-Durrës, projekt nga i cili Durrësi do të përfitojë për të ndërtuar 14 shkolla moderne në të gjithë territorin e bashkisë.

“Ne sot hedhim themelet për Durrësin e vitit 2030 sepse ky është modeli ynë i zhvillimit të qytetit me një vizion të qartë për të ardhmen. Përballë nesh është model i kundërshtarit, model kuturu e pa vizion e ide për qytetin”, tha Vangjush Dako.

Rruga e “Vilës” është e gjatë 1200 metra dhe e gjerë 6 deri në 8 metra. Vlera e investimit është 89 milion lekë. Në këtë rrugë janë ndërtuar 600 metër kub mure dekorative, janë vendosur 340 metër kub pilota betoni për të ndaluar rrëshqitjet e dherave, 8 mijë metra katror sipërfaqe e asfaltuar, janë vendosur 50 shtylla ndriçimi si dhe janë ndërtuar të gjitha kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza. Gjithashtu janë vendosur edhe 27 tabela sinjalistike. Kjo rrugë do ti shërbejë 15 mijë banorëve të kësaj zone si dhe të gjithë qytetarëve të Durrësit.

Gjatë rikonstruksionit të rrugës janë përforcuar edhe muret e dëmtuara në kthesën e Vilës së Zogut. Gjithashtu pjesë e këtij projekti është edhe ndërtimi i një urë me hapësirë drite 5 metra dhe konsol 1.5 metra për kalimin e këmbësorëve.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: