TIRANE– Është inauguruar paraditen e sotme tregu i ri blegtoral në Laknas. I krijuar si një projekt pilot nga MBAZHRAU, KASH dhe Këshilli i Qarkut Tiranë, ky treg synon të shërbejë si një model edhe për rrethet e tjera të vendit. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti tha se kryetarët e Bashkive në vend, nuk duket të humbin kohë për të përcaktojnë mirë vendet për tregje të tilla dhe të ngrenë infrastrukturën e duhur.

“Krijimi i tregjeve për kafshët e gjalla është kusht për eksportin e produkteve blegtorale. Një treg i tillë rrit sigurinë ushqimore, pasi bën të mundur realizimin e të gjithë sistemit të gjurmueshmërisë, “Nga ferma në tavolinë”. Me këtë treg kemi të garantuar sigurinë, pasi mbyll shtigjet për spekulantët dhe kontrabandistët.

Këtu bëhet parandalimi i infeksioneve, ndaj cilësia dhe siguria është me rëndësi, dhe më kryesorja, i garantohet tregut mish i sigurt. Ne vazhdojmë të kemi tregje kaotike, si Miloti, Fushe Kruja. Por pushteti vendor ka përgjegjësi të krijojë modele të tilla. Ndaj jemi të detyruar të ndërpresim aktivitetin, sepse nuk vazhdohet në këto kushte dhe s’ka gjë më të shtrenjtë se siguria e konsumatorit. Kam komunikuar me pushtetin vendor, kam dhe mbështetjen e kryeministrit për këtë, ndaj s’do të lejojmë tregje të tilla”, tha ministri Panariti.

Duke u shprehur se një model i tillë, si tregu i Laknasit, garanton rrugën europiane të vendi, ministri i Bujqësisë tha se ky projekt do të shtrihet edhe në qarqe të tjera të vendit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb