Një nga ngjarjet më të rëndësishme për vendin tonë, 80-vjetori i Konferencës së Pezës është përkujtuar sot në Pezë. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deputeti i PS, Toni Gogu, Prefekti i Tiranës, Afrim Qendro, veteranë dhe familje dëshmorësh.

Në emër të Bashkisë së Tiranës, nënkryetari Andi Seferi vlerësoi Konferencën e Pezës si një moment të rëndësishëm që e renditi Shqipërinë krah fituesve.

“Në emër të Bashkisë së Tiranës, në emër të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, do të doja të përshëndesja ngrohtësisht veteranët, familjet e dëshmorëve dhe përfaqësuesit e organizatave që vijojnë të punojnë çdo ditë, vullnetarisht në nderim të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare ”, theksoi Seferi.

Ai nënvizoi se Konferenca e Pezës mishëron vlerat më të larta të kombit tonë dhe të unitetit. “Këtë vit Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë. Rinia jonë, duke ndjekur shembullin e etërve të tyre, e transformoi këtë vit në ura lidhëse, duke bashkuar aspiratat dhe ëndrrat e tyre me ato të të rinjve nga e gjithë Europa dhe duke e kthyer vitin 2022 një kartolinë të bukur për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE”, shtoi Seferi.

Në emër të Kryetares së Kuvendit, deputeti Toni Gogu përcolli nderimet dhe vlerësimin për këtë ngjarje madhore. Ai deklaroi se për shkak të vizonit të tyre largpamës, burra dhe gra u ngritën mbi interesat e asaj kohe dhe u bënë bashkë për të mirën e kombit që ishte në rrezik. “Bashkohemi sot kundër sulmit energjitik, që kërcënon kontinentin tonë evropian dhe sulmin kibernetik, që kërcënon hapësirën tonë virtuale, në mbrojtje të më të dobtëve: pensionistëve, shërbëtorëve publikë, të ndihmuarit ekonomikisht, personat me aftësi të kufizuar, familjet dhe bizneset e vogla. Ka vetëm një front rezistence sociale, të hartuar nga Qeveria Rama dhe të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, të cilit duhet t’i bashkohemi për të ardhmen dhe mirëqënien e fëmijëve tanë. Të themi të vërtetën për të shkuarën, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme dhe të paprika ncipta, që i bëhen nga të damkosurit dhe marifetçinjtë”, nënvizoi Gogu.

Në fjalën e tij, Ministri i Mbrojtjes vlerësoi rolin e veteranëve dhe pasardhësve të tyre, në mbajtjen gjallë të kësaj dite dhe mesazheve që Konferenca e Pezës ka përcjellë ndër vite edhe tek brezi i ri. Peleshi tha se sot, jemi përballë disa rreziqeve që nuk janë vetëm rreziqe potenciale, por janë sulme të ndodhura kibernetike.

“Kjo në fakt është një luftë e sotme dhe e së ardhmes. Është edhe më e fortë edhe më e rrezikshme se lufta fizike. Shqipëria sot është anëtare dinjitoze në Aleancën më të fuqishme politike dhe ushtarake që është NATO. Kjo na bën të jemi të sigurt, të mbrojtur, por padyshim nuk i bën zero rreziqet dhe kërcënimet, siç ishte ky i fundit. E dini që bota ka ndryshuar, skena e sigurisë në botë ka ndryshuar, pas sulmit rus të pushtimit të pajustifikuar në Ukrainë. Gjeopolitika ka ndryshuar dhe ne jemi në mes të një rajoni shumë të brishtë, siç është Ballkani Perëndimor, por Shqipëria në Ballkanin Perëndimor është vendi i vetëm pa probleme të brendshme politike dhe pa dilema politike dhe gjeopolitike. Ne jemi të orientuar nga perëndimi dhe kemi një mision për të luajtur në të gjithë trevat shqiptare edhe jashtë trupit të Shqipërisë për ta mbajtur Ballkanin nga perëndimi”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes.

Për të përkujtuar këtë ngjarje, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh gjer në mbrëmje, ku në skenë do të ngjiten dhe “Tre Musketjerët”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb