Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar ekskluzivisht për BalkanWeb emrat të cilët kanë qenë subjekt i pesë masave të sigurisë lidhur me arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqajt.

Mësohet se tre personat ndaj të cilëve është dhënë masa e Arrestit me burg, janë ish-ministri Ilir Beqaj, Ermal Kurtula dhe Alfred Nikollaj.

Masa e Arrestit shtëpiak është dhënë për dy shtetasit Gazmend Haxhia dhe Elton Marini.

Ndërkohë Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar kontroll banese për dy shtetasit Bledar Leka dhe Bjona Zijaj.

Dosja që çoi në pranga Ilir Beqajn
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u vu në pranga mëngjesin e sotëm, 4 korrik, me urdhër të SPAK. Së bashku me të, u arrestuane dhe dy persona të tjerë. Njëri prej tyre është Ermal Kurtulaj, i njohur si një nga njerëzit më të besuar të Beqajt. Personi i dytë i arrestuar është Alfred Nikolla. Ermal Kurtulaj, siç rezulton nga hetimet e SPAK, është personazhi kyç në hetimet e SPAK për pastrimin e parave dhe Ilir Beqaj përdorte automjetin e tij për t’u paraqitur para Prokurorisë së Posaçme.

“Nuk di t’i jap makinës, prandaj tij me automjetin e të tjerëve, nuk kam pasur kurrë dëshmi drejtimi”, përgjigjej Beqaj kur u pyet nga gazetarët se pse përdorte automjetin e Ermal Kurtulajt.

Ilir Beqaj rezulton se ka patur njohje me Kurtulajn, koordinator i një projekti me fondet e BE-së. Mirëpo, një gjobë e vendosur nga policia për parkim të gabuar para zyrave të SPAK, “fundosi” ish-ministrin e Shëndetësisë, duke nisur ndaj tij një tjetër hetim, atë për skemën abuzive me fondet e projekteve, ku përmes faturave fiktive paratë përfundonin në xhepat e ish-ministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

SPAK nisi hetim pasuror nga lidhur me abuzimet me fondet e SASPAC (Agjencia Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës), e cila drejtohej nga Beqja deri në momentin që ky i fundit u detyrua të japë dorëheqje pasi GJKKO caktoi dy masa sigurie ndaj tij: detyrim paraqitje dhe ndalim të udhëtimeve jashtë vendit.

Në dosjen hetimore, ku ndër të tjera zbardhej një bisedë mes Ilir Beqajt dhe Ermal Kurtulajt për të justifikuar një faturë. Beqaj ka komunikuar me Kurtulajn nëpërmjet telefonit të shoferit të tij.

Beqaj i komunikon Kurtulajt të flasë me Gazin për t’u takuar, bëhet fjalë për Gazmend Prengën, administratorin e restorantit X ku Kurtulaj dyshohet se ka investuar në këtë restorant ndërsa ka dyshime edhe për interesa të Beqajt në këtë restorant.

Ermal Kurtulaj që ka lidhje me ish-ministrin, ka qenë koordinator i projektit EUSAIR që menaxhohej nga Agjencia SASPAK.

“Gjatë hetimeve kanë rezultuar dhe biseda të shtetasit Ilir Beqaj, i cili ka përdorur telefonin e shtetasit Arben Dani, shofer pranë SASPAC, shofer i ish-ministrit, me Ermalin, ku Iliri i kërkon që të lidhet me Gazin nëse është në Tiranë, me qëllim për t’u takuar.

Ndërkohë që Gazi rezulton të jetë në Lezhë. Nga analiza e bisedës se parë të dt. 06.12.2023, ku shtetasi Ilir Beqaj i kërkon shtetasit Ermal Kurtulaj të lidhet me “Gazin”, dyshohet se bëhet fjalë pikërisht për shtetasin Gazmend Prenga, administratorin e restorantit X.

Kjo pasi në datën 06.12.2023 rreth orës 23.21 Ermali flet me Gazin ku i kërkon nëse e mban bllokun që mban shënimet tona dhe ai thotë ‘po’ është tek puna dhe nga biseda kuptohet që bëjnë llogari në lidhje me leket që është investuar të paktën nga ana e Ermalit dhe jo vetëm.

Nisur nga kjo bisedë, mbështeten dyshimet se shtetasi Ermal Kurtulaj edhe pse ligjërisht nuk figuron në administrimin e restorantit X, faktikisht ai ka bërë investime atje dhe fakti që referimi bëhet në numrin shumës ngrihen dyshime dhe për interesa të shtetasit Ilir Beqaj në atë restorant.

Këto dyshime lindin edhe nga biseda e realizuar në datën. 14.12.2023, 11:33, midis Ermal Kurtulaj nr. x dhe nr. 0X (identifikuar si nr. i shtetasit Arben Dani por ne kete bisede flet shtetasi Ilir Begaj”, thuhet në dosjen hetimore.

Përgjimet:

A (Ermali)

B (Beqaj):

A: Udhëro, alo?

B: Ç’është ky mor burrë aneksi 8?

A: Me ngjon?

B: (Një person tjetër futet ne bisedë: “Po, po”)…

A: Aty, aty e kisha t regjistruar me aneksi 8 un ktë.

B: Po mir po po të them kërkohet i tabelë me investime tani sikur se si ca kërkohet, futja

A: Unë e pash atë dosjen që kishte dhe shkruante aneksi 8 dhe e nxora.

B: Ca kërkohet vlla, ti e di ca kërkohet pse ia fut kot?

A: Po mir okej.

B: Tabelën e kemi likuidim si quhet aneksi 8 ku e di un tashi duhet ta gjejmë se ku është, oferta nuk ka rendesi degjo.

A: Po pra po

B: I thuj nqoftese mundet nga ora 4 e mbrapa kur te doje.

A: Nga ora 4 e mbrapa?

B : Po, nëqoftese mundet.

A: Mir, po Gazin?

B: Gazi, pra Gazi po t them.

A: A per Gazin se se dëgjova fjalen prandej mendova, mirë ne rregull atëherë.

B: Tjetri po ashtu.

A: Edhe ai tjeteri po ashtu.

B: Po

A : Mire atëherë okej ne rregull pra

B: Po sido qofte flasim dhe bashkë n’darkë.

A: Ne 4?

B: Po.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb