Rrallë presioni publik mbi Kishën ka qenë kaq i lartë. Në Romë mblidhet sinodi për temën e martesës dhe familjes. Tema kryesore aty do të jetë para së gjithash sjellja me të divorcuarit e rimartuar dhe çiftet homoseksuale. Sigurisht se pjesëmarrësit paralajmëruan për pritshmëri të mëdha. “Nëse ju vini në Romë dhe prisni një kthesë rrënjësore në doktrinën e kishës, do të zhgënjeheni kur të ktheheni mbrapsht”, tha pak a shumë kardinali André Vingt-Trois, kryepeshkopi i Parisit.

Por kaq e thjeshtë situata nuk duket se është. Më poshtë do të gjeni pesë shenja që na tregojnë se pse Kisha Katolike tashmë ndodhet para një revolucioni.

Tema është e rëndësishme edhe për Papën
Për një kohë të gjatë, mbi temën në fjalë në Kishën Katolike thjesht është heshtur për vdekje. Me dy sinode peshkopale – njëri në vitin 2014, e tjetri këto javë që vijnë – Papa do ta sjellë temën komplekse të martesës dhe familjes në axhendën e Vatikanit.

Një shfaqje në kohën e duhur
Të shtunën pati një tronditje në Kishën Katolike, siç nuk ka pasur prej kohësh që s’mbahen mend kurrë më parë. Teologu polak, Krzysztof Charamsa, u shfaq hapur si homoseksual – dhe u zhvesh menjëherë nga çdo funksion i rëndësishëm që mbante. Charamsa deri në atë moment ishte një njeri i fuqishëm në Kishën e Romës, një docent në dy shkolla të larta papnore.

Se çfarë peshe pati rrëfimi i Charamsas në Vatikan, mund të merret me mend. Një zëdhënës i Selisë së Shenjtë e dënoi sjelljen si “të papërgjegjshme”. Arsyeja: sinodi i peshkopëve duhej të qëndronte jashtë presionit të paparë mediatik, pasi mund të ndikonte mbi vendimmarrjen.

Shumica e katolikëve jetojnë tërësisht ndryshe
Mësimet e Kishës Katolike kanë të bëjnë shumë pak me realitetin jetësor të anëtarëve të saj. Një sondazh i iniciuar nga Papa ndër të gjithë katolikët, na shfaq për shembull në Gjermani, diferenca të mëdha mes mësimeve katolike dhe jetës reale të besimtarëve. Në qëndrimin e tyre mbi divorcin, seksin paramartesor, mjetet mbrojtëse ndaj shtatzënisë së padëshiruar dhe partneritetin homoseksual, një shumicë qartësisht e madhe e besimtarëve nuk i ndjek mësimet e Kishës.

Shumë priftërinj janë homoseksualë
Tema e seksit luan pas mureve të Vatikanit një rol të rëndësishëm, shkruan teologu David Berger në “Huffington Post”:

Nuk është se seksi homoseksual nuk ka qenë fare një temë diskutimi në Vatikan. Homoseksualiteti, ndër të tjera, është ndër punonjësit spiritualë që punojnë atje, me gjasë më i përhapur se në shumicën e popullsisë dhe vetëkuptohet se është edhe njëra ndër temat më të dashura, çka për ata që janë të tillë, nuk përbën asnjë problem.

Sidoqoftë, përderisa ata flasin mbi këtë çështje me aq zë, saqë jashtë mureve të Vatikanit nuk i kupton askush, për sa kohë që ata e neglizhojnë faktin se falë homoseksualitetit të tyre, të shtyrë sidomos pjesërisht nga eprorët e tyre, e pjesërisht nga eprorë të tjerë, bashkëvëllezër të të njëjtit nivel hierarkik apo vartës të tyre që i bëjnë presion, homoseksualiteti është – le të themi – edhe esenca që e mban në lëvizje aparatin e pushtetit në Vatikan.

Për sa kohë që Kisha Katolike e demonizon homoseksualitetin, ajo po gënjen veten.

Në fund vendos Papa
Edhe tri javë do të duhet të presim derisa sinodi t’i paraqesë Papës një sugjerim. Ai në fund duhet të vendosë nëse Kisha do të riorientohet. Në perceptimet publike, Papa shihet gjithnjë si reformatori liberal, që ka fuqinë të shtyjë përpara një ndryshim të tillë përkundrejt kundërshtive. Megjithatë, situata nuk është kaq e qartë – në vizitën e tij të fundit në Filipine, ai foli ashpër kundër homoseksualëve.

Por nga sinodi i peshkopëve, Papa lëshoi tone më të buta. Ai dërgoi për të, një apel për më shumë guxim, hapje dhe përulësi. Hapje dhe guxim, kjo është sigurisht diçka.(shqip)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: