Bashkia e Krujës është një nga bashkitë më të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe, si pasojë, është përfituese e disa programeve rindërtimi për rreth 5000 familje që aplikuan në sistemin e dedikuar. Me fonde nga rindërtimi dhe me njësi zbatuese si “Fondi Shqiptar i Zhvillimit”, janë ndërtuar katër zona të reja për zhvillim, konkretisht në Thumanë, Bubq, Fushkrujë dhe Krujë.

Zonat e reja në Thumanë, Bubq dhe Fushë-Krujë janë përfunduar më herët dhe banorët, pas më shumë se dy vjetësh, i kanë marrë apartamentet e tyre. Ndërsa në qytetin e Krujës, për shkak të shpronësimeve, procesi ka qenë më i vonuar dhe së fundmi, 335 apartamente janë kolauduar dhe ndarja e tyre do të fillojë shumë shpejt.

Në total, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit janë ndërtuar 790 njësi banimi. Rreth 1000 familje të tjera janë ende në proces rindërtimi në të njëjtin truall, një proces që ka hasur disa vështirësi për shkak të terrenit, por që afërsisht gjysma e këtyre familjeve është afër përfundimit të rindërtimit të banesave të tyre me fondet e rindërtimit.

Gjithashtu, rreth 2600 familje që kanë pasur dëmtime më të lehta (nivel DS 1, DS 2, dhe DS 3) janë trajtuar me grante rindërtimi, sipas vlerave të miratuara, dhe ky proces ka përfunduar që në vitin 2022.

Për momentin, rreth 340 familje të pastreha janë ende në qytetin e Krujës, për të cilat pritet ndarja e apartamenteve së shpejti. Po ashtu, ka edhe disa familje të tjera që për shkak të tokave të vështira, kryesisht në qytetin e Krujës dhe në njësinë administrative Cudhi, akoma nuk kanë aplikuar për leje ndërtimi. Për këto familje, Bashkia është në komunikim me Ministrinë e Infrastrukturës për gjetjen e një zgjidhjeje alternative.

Gjithashtu, në territorin e Bashkisë Krujë janë rindërtuar dhe forcuar 18 objekte, përfshirë shkolla, kopshte dhe çerdhe, ndërsa vetëm një prej këtyre objekteve në njësinë administrative Nikel akoma nuk është ndërtuar dhe pritet të financohet së shpejti. Ky objekt ishte pjesë e programit “EU for School” i prokuruar nga UNDP me fonde nga BE, por nuk u finalizua për shkak të tërheqjes së firmës zbatuese.

Procesi i rindërtimit, për shkak të rasteve të shumta dhe problemeve ligjore dhe financiare, ka qenë mjaft i komplikuar dhe një sfidë e jashtëzakonshme për një bashki me një staf jo shumë të madh, i cili është gjithashtu i angazhuar për detyrat e përditshme.

Megjithatë, kreu i PD-së Euroatlantike në Krujë, Saba Sheta, është skeptik për vitin e ardhshëm. Ai shprehet se nuk ka një listë të saktë të personave që do të përfitojnë nga hyrjet e apartamenteve dhe, sipas tij, mungojnë rreth 40 hyrje pallatesh për banorët në pritje, për të cilët nuk dihet ende se si do të veprohet.

Informacionet zyrtare nga Bashkia e Krujës nuk janë ende të disponueshme për koment para kamerës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb