NGA ZONJA VJOLLCA
Përbërësit

2 peshq (koc ose krap)
100 gr domate të thara
Trumzë e freskët
3-4 degë borzilok
6 thelpinj hudhër
1 kokërr limon (lëkurë + lëng)
3 qepë të njoma
300 gr domate qershi
2 kunguj të njomë
60 gr ullinj të zi
120 ml verë e bardhë
3-4 lgj vaj ulliri
Kripë, piper i zi
Përgatitja
Fillimisht ngrohim furrën në temperaturën 220 gradë Celsius.
Peshkun e lajmë dhe e thajmë dhe ashtu siç është me gjithë kokë vetëm të pastruar në bark e vendosim në një tavë ku kemi shtruar një letër pjekjeje.
Presim në copëza të vogla domatet e thara, heqim dy lugë mënjëanë dhe pjesën tjetër e vendosim në një tas ku shtojmë 4 thelpinj hudhër të prera në feta, 2 degë trumzë të freskët, 2 lugë borzilok të grirë, kripë, piper të zi, pak lëkurë limoni të grirë hollë dhe ½ lëng limoni.
Presim kungullin në gjysëm rrathë të plotë me trashësi 6-7 mm, domatet qershi i presim në ¼, qepët i presim në unaza (jo bishtat), ullinjtë i presim në ½ për së gjati. Më pas të gjitha perimet i vendosim në një tas duke shtuar vaj ulliri, kripë, piper, pak trumzë, dy thelpinj hudhër dhe domatet e thara që hoqëm mënjëanë.
Mbushim peshkun me domatet e thara me hudhër dhe erëza dhe më pas shpërndajmë perimet në sipërfaqen e tavës. E pudrosim peshkun me pak kripë, me pas spërkasim peshkun dhe perimet me vaj ulliri dhe verën e bardhë. E vendosim tavën në furrën e parangrohur për 25 minuta.

(da.xha/Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: