Kryetari i Grupit Parlamentar te PS, Taulant Balla pas një takimi me Sekretarin e Shtetit Parlamentar të Gjermanisë, Christian Lange pohoi se qeveria ka bërë disa herë përpjekje për të arritur një konsensus me PD sa i takon Reformës Zgjedhore. Teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve, Balla tha se politika nuk duhet të mbajë peng reformën.

Mes të tjerash Balla u pyet në lidhje me faktin nëse pas takimit që kryeministri Edi Rama mbajti me kancelaren Merkel, nëse Gjermania i kishte vendosur kushte Shqipërisë për arrestimin e peshqve të mëdhenj, socialisti u tregua i rezervuar.


‘BalkanWeb’ zbardh pyetje-përgjigjet e gazetarëve me Ballën.

A do të vijoni përpara pa PD për reformën zgjedhore?
Dëshira jonë ka qenë gjithmonë, sipas traditës, që reforma zgjedhore të kryhet me dakordësinë e një spektri të gjerë të politikës shqiptare. Përsëri dua t’ju them se përpjekjet tona për të arritur konsensus me PD dot ë vijojnë. Gjatë javës që vjen do të kemi një komision me partitë, ku ato të shprehin qëndrimet e tyre.

A ka reformë pa PD?
Askush nuk duhet të mbajë peng rrugën për Kodin Zgjedhor të Shqipërisë. Nga OSBE/ODHIR ka adresime që zgjedhjet e 2021 të zhvillohen me kod zgjedhor të ndryshuar.

Kryeministri Rama pati një takim me kancelaren Merkel në Gjermani. A ka kërkuar Gjermania peshq në rrejtën e drejtësisë?
Në historinë e procesit të fillimit të bisedimeve, gjithmonë fillim i bisedimeve ka edhe çështje prioritetesh. 35 kapitujt e marrëveshjes së anëtarësimit janë një spektër i gjerë që kërkon reforma në të gjithë sektorët. Shqipëria ka kapitullin e 23-24 qe lidhen me shtetin e së drejtës. Ato janë të domosdoshme dhe ndaj pa qëllimin hapen të parat dhe mbyllen të fundit.

A është kërkuar që të çohen funksionarë të korruptuar të lartë të shtetit para drejtësisë?
Duhet të kuptojmë se funksionimi i drejtësisë nuk bëhet me plan dhe numra funksionarësh apo përfaqësues të lartë përpara drejtësisë. Drejtësia duhet të funksionojë e pavarur nga politika. Ky ka qenë gur i themelit të funksionit të drejtësisë. Funksioni dhe ngritja e Prokurorisë Speciale Antikorrupsion, do te shoqërohet me një regjistër të personave të nivelit të lartë që duhen hetuar dhe gjykuar paanshmërish. Gjithmonë rruga e integrimit europian shoqërohet me standarde, kushte që çdo vend duhet t’i përmbush. Edhe vendet që janë anëtare të BE, shoqërohen me kushte që duhet të përmbushen.

A ka PS diçka për të lëshuar që t’i jepet fund krizës?
Ajo që duhet të kuptojmë është se Shqipëria përmbylli zgjedhjet e 30 qershorit, të cilësuara tërësisht të lira nga raporti i OSBE. Çdo palë duhet të kuptojë se bojkoti nuk të çon asgjëkund. Nuk ka më politikanë që të vrapojnë pas bojkotit. Ne kemi thënë dhe jemi pro të bashkëpunojmë për reformën zgjedhore dhe për sfidat që na persin përpara, siç është integrimi drejt BE.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: