Dje misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar që po viziton Shqipërinë doli në një konferencë për shtyp, për të dhënë përfundimet e vrojtimeve të tij të fundit mbi ekonominë tonë. Kryetari i këtij misioni artikuloi se parashikimet e Fondit për rritjen ekonomike të vendit tonë për këtë vit janë në ulje të mëtejshme. Nga 3.7 në 3.5 për qind. Mund të pyesë dikush: po çfarë po na bën një ulje me 0.2 për qind? Një për qind e Produktit të Brendshëm Bruto të vendit është 100 milionë euro. 20 milionë euro më pak prodhim vendas nuk duket shumë vërtetë. Por është një shenjë ama. Ky vit do të jetë shumë i vështirë për ekonominë tonë.

Politika po bën gjithçka për t’ia vështirësuar jetën ekonomisë së shqiptarëve. Çdo ditë mbyllen dy sipërmarrje të regjistruara në vend. Kjo nuk është gjë e mirë. Madje përbën një kambanë alarmi për të gjithë ne. Pse mbyllen sipërmarrjet? Mund sërish të thotë shumëkush: është e natyrshme. Sipërmarrje, kompani të reja lindin, sipërmarrje që nuk konkurrojnë dot, mbyllen. Por nuk është tamam kështu. Sipërmarrjet po mbyllen pse kompanitë e mëdha mbizotëruese në disa tregje i janë ngjitur si këpusha qeverisë dhe vendim-marrësve publikë, duke gllabëruar gjithçka nga paratë e tenderëve të shtetit.

FMN tundi disa kambana të rëndësishme. Së pari, i tha një jo të fortë propozimit qeveritar për krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare, një lloj banke shtetërore investimesh. Sipas FMN-së, një strukturë e tillë “do t’i jepte mundësinë qeverisë të udhëzonte vendime individuale për investime, të cilat mund ta shndërronin korporatën në një instrument investues të mbajtur jashtë buxhetit të Shtetit”(file:///C:/Users/Downloads/mcs050619-alb-albania-second-ppm-mission.pdf) .

Njëlloj sikurse sillet qeveria me Fondin Rajonal të Investimeve, por në një shkallë shumë më të ulët të parasë publike. Nëse ky fond qarkullon dhe jo në pak raste keqpërdor dhjetëra milionë euro të taksapaguesve të këtij vendi, korporata do të qarkullonte me qindra milionë euro në vit. Nga ana tjetër, mënyra e vendim-marrjes e korporatës do të ulte ndjeshëm disiplinën fiskale të shtetit tonë dhe do të anashkalonte rregullat e administrimit të investimeve publike. Së dyti, FMN kërkoi fuqizimin e bazës së të ardhurave fiskale të shtetit. Me fjalë të tjera, qeveria të kufizojë detyrimet e prapambetura që po i mblidhen kapicë. Sidomos radhën e gjatë të kompanive që presin rimbursimin(pagesën mbrapsht) të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar(TVSH). Vetëm për vitin 2018, detyrimet për të paguar TVSH-në kapnin shifrën 141 milionë euro. Fondi kërkoi që qeveria të mos e kushtëzojë rimbursimin me flukset e të ardhurave tatimore. Pra, “prit ti, biznes të arkëtoj ca të ardhura unë në mars 2020, që të të paguaj paratë që të duhen kaq urgjentisht tani!”.

Dhe kanë marrë paratë vetëm ato biznese të dëshpëruara për para kartëmonedhë që i jepnin 10 përqindëshin abuziv të parave të tyre firmëtares apo firmëtarit nga tatimet. Këtë FMN nuk e tha, por ne të gjithë e dimë realitetin tonë mjeran. Ministrja e re e Financave ka punuar me zgjuarsi për të përgatitur një program që të shlyejë stokun e madh të detyrimeve të TVSH-së sa më shpejt, duke shmangur gjobëvëniet e tatimorëve. Këtë e vlerësoi FMN në deklaratën e saj. Së treti, Fondi kërkoi përmirësimin e administrimit të borxhit publik, duke nxjerrë bono afatshkurtra tre dhe gjashtëmujore. Mund të jetë një valvulë shkarkuese interesante, për të kanalizuar një pjesë të parave të shqiptarëve dhe kompanive, që flenë kot nëpër banka, derisa na i vjedhin grabitqarët në barkun e avionit. Po qeveria? Qeveria u shpreh optimiste se rritja ekonomike për këtë vit do të jetë mbi 4 për qind. Pra, më shumë se 50 milionë euro.

Qeverisë i takon të luajë optimisten, por i duhet të qëndrojë me këmbë në tokë. Vetëm për tre muajt e parë të këtij viti, janar-mars 2019, të ardhurat e saj nga tatimet ishin 14 milionë euro më pak. Po të vazhdojë kështu, avullon i gjithë gjysmë përqindëshi i rritjes ekonomike që optimizmi i saj parashikon. Politika e ditës do të bëjë gjithçka për t’i vënë stërkëmbësha ekonomisë dhe autoritetet tona financiare dhe tatimore, nga ana e tyre, janë të thirrura të bëjnë gjithçka për të rritur disiplinën financiare dhe fiskale, si dhe për ta shpenzuar paranë publike me zgjuarsi dhe jo pas berihajt të dikujt që do të komandojë korporatën e investimeve./GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: