NGA: Iv Kaloçi
Shoku Beqir Balluku ka të meta serioze. Ai për shumë probleme të mendimit teorik nuk ndjek këtë rregull, nuk jep orientime të sakta, nuk i diskuton ato më parë me mua dhe shokun Hito dhe nuk vë Shtabin e Përgjithshëm në drejtim të këtij përpunimi. Shoku Beqir, shumë studime i ka bërë me dyer të mbyllura.” Emri i gjeneral-major Petrit Dumes do të bëhej fillimisht i njohur që në vitet ’40, gjatë periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi ky i fundit, do të spikaste si komandanti i një prej formacioneve më të suksesshme luftarake për rrethin e Kolonjës, “Batalionin Hakmarrja”, dhe gjithë jugun e Shqipërisë. Karriera e Dumes do të vijonte më tej si komandanti i Brigadës IV Sulmuese, dhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, do të shërbente përsëri si komandant i Divizionit II, po në qarkun e Korçës. Deri në dhjetorin e vitin 1974 (vit në të cilën ai do të arrestohej së bashku me Ballukun, Çakon dhe Parllakun), Petrit Dume do të gëzonte një sërë postesh të larta drejtuese në qeverinë komuniste të Enver Hoxhës.
Zv.ministër i Mbrojtjes, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të RPS të Shqipërisë, deputet në Kuvendin Popullor për rrethin e Kolonjës në 6 legjislatura, i diplomuar në dy nga akademitë ushtarake më të njohura të Europës dhe të botës (përkatësisht “Frunxe” dhe “Voroshillov”), në Moskë me rezultate maksimale, kandidat i Byrosë Politike, si dhe detyra shoqërore si President i Klubit Sportiv të “Partizanit”. Por gjithashtu karriera e suksesshme politike e Petrit Dumes, do të ecte paralelisht edhe me dështimin e tij, sepse në mesin e viteve ’70, ai dhe një sërë drejtuesish të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë Shqiptare, do të përballeshin me një sërë akuzash tejet të rënda nga vetë Byroja Politike dhe veçanërisht nga Enver Hoxha, për të ashtuquajturat “Tezat e Zeza” dhe “Teorinë e Rrëshqitjes”.
Pas zhvillimit të Aktivit të Ushtrisë në korrik të 1974-ws në Durrës, ku do të kritikohej rëndë ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, si dhe pas zhvillimit të Plenumit të gushpërtit, ku Ballukut do t’i jepej “kolpoja” përfundimtare, Petrit Dume dhe Hito Çako do të nxiteshin nga vetë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu në një lojë politike, perverse dhe intrigante. Kjo për t’iu kundërvënë Beqir Ballukut dhe për ta demaskuar atë me të gjitha mënyrat, pa e ditur se edhe vetë ata do të goditeshin po në të njëjtën mënyrë vetëm 4 muaj më pas, në Plenumin e dhjetorit të vitit 1974. Arrestimi i Ballukut, Dumes, Çakos dhe Parllakut do të ndodhte pikërisht direkt pas përfundimit të këtij plenumi, pasi ata do të sakrifikoheshin si “koka turku” e radhës për t’u “prerë” nga Enver Hoxha. Në mënyrë të ngjashme si eprori i tij Beqir Balluku (letra e të cilit drejtuar Hoxhës është botuar një muaj më parë në “Gazeta Shqiptare”), edhe Petrit Dume i ka dërguar Enverit dy letra para arrestimit, duke i shpjeguar se nuk është fajtor, por përgjegjësia duhet kërkuar te Beqir Balluku. Por edhe pas kësaj, ai nuk i shpëtoi arrestimit.
Nga burgu, ai rreket më kot që t’i shkruajë sërish Enver Hoxhës një letër-autokritikë, ku shpjegon edhe thelbin e vërtetë të angazhimit të tij në hartimin e “Tezave të Zeza”. Ai përpiqet që të minimizojë dhe të justifikojë në maksimum përgjegjësitë e tij dhe shpjegon se fajtorët e vërtetë të hartimit të këtyre tezave janë pikërisht Beqir Balluku dhe Hito Çako. Letër-autokritika e datës 9.5.1975, e Petrit Dumes drejtuar Mehmet Shehut, ku midis të tjerash, në një mënyrë dëshpëruese i kërkon që të mos pushkatohet vetëm për hir të britmave të fëmijëve dhe gruas së tij ironikisht, nuk do të bënte gjë tjetër veçse do ta ndizte më shumë dëshirën diabolike të diktatorit (i cili ia dërgon për një rishikim Hysni Kapos), për të mos treguar aspak mëshirë dhe për ta konsideruar fajtor njëlloj si kolegët e tij, gjë që do ta çonte drejt ekzekutimit Petrit Dumen së bashku me Beqir Ballukun dhe Hito Çakon, natën e 5 dhjetorit të vitit 1975, në tunelet e Linzës. Në këtë shkrim po botojmë të plota të tria letrat e Petrit Dumes për Enverin, si dhe korrespodencën e Enverit me Hysni Kapon e Mehmet Shehun, ku të tre bien dakord për dënimin me vdekje të Petrit Dumes.
LETRA E PARE E PETRIT DUMES PER ENVERIN RELACION MBI DISA MENDIME TE NDRYSHME QE KAM UNE DHE SHOKU BEQIR NE ÇESHTJET E USHTRISE
Mbas kritikave që na bëri Byroja Politike mbi mungesat tona në punën e drejtimit të Ushtrisë, unë dhe shoku Beqir filluam një punë më të organizuar dhe unifikuam shumë mendime të rëndësishme për drejtimin e ushtrisë, siç janë kërkesat mbi rregullat ushtarake, intensitetin e përgatitjes luftarake etj. Për këto probleme për të cilat kemi pasur mendime të ndryshme, para vitit 1970, sot kemi mendime të përbashkëta dhe puna na shkon më mirë se në të kaluarën. Unë e shoh të nevojshme t’i raportoj Komitetit Qendror, Këshillit të Mbrojtjes dhe shokut Enver, se në kuptimin e problemeve të mbrojtjes në shumë drejtime unë dhe shoku Beqir kemi mendime të ndryshme që dëmtojnë patjetër unitetin dhe punën e udhëheqjes ushtarake në qendër. Në se konsistojnë këto mendime të ndryshme?
a) Në problemin e punës të zhvillimit të mëtejshëm të teorisë së luftës.
b) Në luftën dhe këmbënguljen tonë për zbërthimin e tezave të Këshillit të Mbrojtjes dhe vënien e tyre në jetë. Për sa i përket problemit të zhvillimit të mëtejshëm të teorisë, unë nisem dhe nga orientimi i Partisë që në këtë drejtim të predominojnë kolegjialiteti, iniciativa dhe pikësynimi, pra mendoj se para çdo gjëje duhet të përcaktohen problemet që do të studiohen, të rrihen mendimet ndërmjet ne tre shokëve kryesorë dhe pastaj të aprovojmë tezat dhe ngarkojmë grupe pune ose aparate për të përpunuar problemet. Gjithë puna e përpunimit të teorisë duhet të jetë e përqendruar në Shtabin e Përgjithshëm dhe mbasi të mbarojë studimi, prapë në mënyrë kolegjiale, ta studiojmë materialin ne tre shokët kryesorë dhe mbasi të rrafshojmë mendimet, ta hedhim materialin në diskutim.
Në qoftë se materiali i dhënë ka të bëjë me ndryshime të koncepteve ekzistuese, diskutimi i problemit duhet të bëhet vetëm me aprovimin e Këshillit të Mbrojtjes. Kjo rrugë mua më duket e drejtë dhe vetëm kështu mund të punohet vazhdimisht dhe zakonisht për problemet të rëndësishme në Shtabin e Përgjithshëm, në drejtoritë dhe komandat e llojeve të armëve. Në këtë drejtim, shoku Beqir Balluku ka të meta serioze. Ai për shumë probleme të mendimit teorik nuk ndjek këtë rregull, nuk jep orientime të sakta, nuk i diskuton ato më parë me mua dhe shokun Hito dhe nuk vë Shtabin e Përgjithshëm në drejtim të këtij përpunimi. Shoku Beqir, shumë studime i ka bërë me dyer të mbyllura, duke mbajtur lidhje të drejtpërdrejtë vetëm me përpunuesit dhe duke i porositur ata që të mos vënë në dijeni as shefat e drejtpërdrejtë dhe as mua. Përpunimet bëhen në vende jo të përshtatshme, duke përdorur materiale dhe dokumente shumë sekrete, jashtë çdo rregulli dhe kontrolli dhe nëpër lokale të pasigurta.
Në këtë mënyrë shoku Beqir ka udhëhequr përpunimin e shumë materialeve teorike për të cilat ne kemi pasur dijeni dhe kur kemi sinjalizuar se këto veprime nuk janë të drejta, ai nuk ka reaguar drejt dhe ka vazhduar të gabojë në këtë drejtim. Kështu veproi ai kur tentoi të përgatisë një material teorik në vitin 1966, kështu përgatiti materialin teorik në vitin 1971, 1972 dhe në vitin 1973. Të tre këto studime u përgatitën pa dijeninë e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Drejtorisë Politike, duke përdorur oficerë të aparateve tona, por të porositur që neve të mos na mbajnë në korent. Kur i është thënë shokut Beqir se këto gjëra janë të padrejta dhe unë duhet të di se ç’bëhet dhe ç’po për punohet, më është përgjigjur se ‘ti materialet do t’i shikosh kur të mbarojnë’.
Për vënien në jetë të tezave të Këshillit të Mbrojtjes dhe për zbërthimin e tyre, shoku Beqir në shumë raste nuk ka bërë një punë të organizuar dhe këmbëngulëse, ka lënë përshtypje lëkundjeje duke thënë se Tezat janë shumë të gjera, përmbajnë shumë hollësira dhe se duhen shkurtuar dhe shtrydhur në mënyrë të theksuar. Më e keqja është se disa materiale të përpunuara nën drejtimin e drejtpërdrejtw të shokut Beqir, goditën përmbajtjen e Tezave në një mënyrë ose në tjetër, krijojnë konfuzione teorike dhe çoroditen veprimet praktike të trupave në luftë. Këto materiale që sipas momenteve herë janë bllokuar dhe herë janë dukur, jo çdo gjë e trajtojnë shtrembër, ndër to ka shumë probleme që ngrihen drejt, por në thelb të tyre ka pikëpamje të rrezikshme për strategjinë tonë. Për shembull në dy tre materiale teorike shtrohet problemi për të përvetësuar një mbrojtje mobile dhe për të zhvleftësuar mbrojtjen pozicionale aktive, hidhen pikëpamjet se trupat tona në mbrojtje duhet të sulmojnë dhe jo të kundërsulmojnë, të goditin dhe jo të kundërgoditen. Mirëpo këto shfaqje janë në kundërshtim flagrant me konceptet e strategjisë sonë, ato e kthejnë ushtrinë tonë që në ditët e para të luftës nga një ushtri të rregullt, në një ushtri partizane.
Në këto materiale që mbrohen nga shoku Beqir, ka edhe pikëpamje të tjera të shtrembra e të rrezikshme, për të cilat si unë, ashtu dhe shoku Hito, e kemi ngritur vazhdimisht zërin para shokut Beqir, por nuk na ka dëgjuar dhe në këtë mënyrë ka influencuar që një numër i madh kuadrosh të njihen me këto pikëpamje. E rëndësishme është që në masën më të madhe të kuadrove materialet teorike që prekin konceptet tona, qoftë dhe në mënyrë të stërholluar, janë hedhur poshtë. Shumë herë e kam ngritur problemin para shokut Beqir se ne nuk kemi nevojë për teori të reja që s’shkojnë, se teoria jonë është e plotë, e qartë dhe e përshtatshme për kushtet tona, ashtu siç na porositi Partia dhe shoku Enver, puna dhe detyra jonë është që t’i vëmë ato në jetë. Ai në parim bie dakord, por vazhdon të ruaj në vetvete disa koncepte që s’puqen me tonat dhe që këto koncepte herë pas here i jep në kuadro dhe në grupe të ndryshme për t’i përpunuar.
Sot në Ministrinë e Mbrojtjes ka shumë përpunime të tilla për të cilat janë harxhuar kohë dhe njerëz shumë, por e keqja është se këto materiale rrihen me kujdes nga shoku Beqir dhe nuk pranon që të kritikojë ashpër përpunuesit, të cilët i ruajnë ato mendime dhe mund t’i shfaqin, kur të gjejnë rastin. Problemet që ngrita në këtë relacion janë të dokumentuara në material shumë voluminoze, por unë u mundova që sipas porosisë së shokut Hysni, të ngre vetëm disa çështje kryesore për të kuptuar ndryshimin e mendimeve tona në punët e mbrojtjes. Jam i bindur se këto koncepte jo të drejta nuk kanë shkuar poshtë, ato janë në kokë të shumë pak njerëzve këtu në qendër, sidomos te shoku Beqir, shoku Rrahman dhe Spiro Shalësi. Ato nuk kanë dëmtuar gjer tani punën dhe masat praktike për fuqizimin e mbrojtjes dhe zbërthimin e tezave të Këshillit të Mbrojtjes. Në punën time kam pasur dhe kam plot të meta e mungesa, me të cilat kam luftuar dhe do të luftoj, por në drejtim të unifikimit të mendimeve me shokun Beqir dhe luftën për vënien në jetë të Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, jam i ndërgjegjshëm që kam bërë atë që mund të bëja. Partia dhe shoku Enver të gjykojnë punën time dhe nëse kam gabuar, të marrin masat më të rënda për mua. Tiranë, më 17 qershor 1974 Petrit Dume ……………………………………………….
LETRA E PETRIT DUMES PER ENVERIN PER VEREJTJET E USHTARAKEVE LIDHUR ME TEZAT E MBROJTJES
P.S. Për të pasur një ide më të qartë mbi rrezikshmërinë e materialeve teorike të paraqitura në vitin 1973, si dhe vlerësimet që i bënë kuadrot kryesorë këtij materiali, po ia paraqes vetëm shokut Enver kritikat kryesore.
Petrit Dume
KRITIKAT PARIMORE QE I BEHESHIN MATERIALIT TEORIK NGA DISA SHOKE
1. Shoku Hito Çako Nga të gjitha problemet që trajtojnë në këtë material, më shumë i pagoditur dhe me të meta serioze, që bien në kundërshtim me parimet e tezave, që ndonjë nga këto parime nuk e zhvillojnë, por frontalisht e korrigjojnë, është kapitulli ku ju flisni për mbrojtjen. Në këtë kapitull, sipas meje, jo një, por gjithë esenca e parimeve të tezave për mbrojtjen pozicionale dhe aktive në rajonet e fortifikuara dhe tepër të fortifikuara, konsiderohen si të vjetruara, si parime që eksperienca jonë e deritanishme e grumbulluar bën të domosdoshëm kalimin nga këto parime të tezave për mbrojtjen pozicionale aktive në parimin e mbrojtjes së manovruar “mobile”.
2. Shoku Bako Dervishi Materiali i paraqitur është krejtësisht në kundërshtim me tezat e Këshillit të Mbrojtjes, ky material nuk i pasqyron tezat. Idetë e paraqitura nga shoku Enver Hoxha për problemet e ushtrisë në materialet e paraqitura nuk janë interpretuar drejt; diku merren dhe diku kundërvihen. Konceptet mbi operacionet e mbrojtjes kërkojnë tërësisht rishikim, zgjidhja e të cilave varet më shumë edhe për konceptet e llojeve të tjera të luftimeve. Materiali i shpërndarë në një masë të madhe dhe njësive për studim, krijoi çoroditje, ngjall mosbesim në zbatimin e koncepteve tw tezave të artit ushtarak tonin që zbatojmë sot.
3. Shoku Muhamet Prodani Unë mendoj që ne jemi akoma në aplikimin e këtyre tezave dhe kanë dalë dhe po dalin vazhdimisht gjëra që kërkojnë përcaktim dhe riformulime. Ne gjithnjë i kemi parë me sy kritik, duke studiuar gjithnjë gjendjen në realitetin gjatë aplikimit të kërkesave të tezave, dhe s’është aspak e vërtetë dhe e arsyeshme, kritika që bëhet nga shokët në faqen 4, në adresë të kuadrove të shokëve të Ushtrisë, sepse, mendoj unë, ne nuk kemi asnjë bazë për të bërë përmbysje në tezat, qoftë dhe në format dhe metodat e luftimit. Është me gjithë mend e çuditshme kur argumentohen sulmi dhe goditja. Ato injorojnë mbrojtjen, dalin në veprime të lira, partizane, heq dorë nga fronti dhe jo vetëm që nuk ka qëllim vendimtar, por siç thashë, nuk ka një influencë në front, ato çojnë në luftën partizane pa front që në fillim. Materiali nuk përmban ndryshime të formave të luftimit në raport me tezat, por është absolutisht i kundërti i tezave, në esencë.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)