TIRANË

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili deklaron se Gjermania dhe Macron e rrëzuan narkoshtetin, akaparimin eurodiplomatik kanabist duke theksuar se Edi Rama është humbësi i vetëm dhe pa asnjë alibi në të gjithë ketë proces dështimi për Shqipërinë që vuan izolimin për shkak të tij.

Në një postim në “Facebook”, Vasili hedh kritika të ashpra edhe për diplomatët, për të cilët shprehet si “euroburokratë që flasin për sukseset e një Shqipërie që nuk ekziston dhe qenë të kundërt të fjalëve të tyre”.

Për Vasilin, Edi Rama mbetet pengesa e vetme për hapjen e negociatave. Ai deklaron se largimi i tij është mision i të gjithë shqiptarëve sepse ai po lë jashtë Europës të gjithë ata pavarësisht bindjeve të tyre politike. “Antishteti i Ramës është tashmë lakuriq në sytë e të gjithë Europës dhe botës. Gjermania dhe Makron e bënë të vetën tani u takon shqiptarëve të bëjnë të tyren”, shkruan Vasili.

POSTIMI I PLOTË

9 kushtet gjermane dhe Makron, që asgjësuan Ramën dhe Eurodiplomacinë kanabiste!!

Gjermania dhe Makron u demonstruan qartësisht komplementarë në qëndrimin e tyre ndaj Shqipërisë për negociatat.

Shqipëria e filloi procesin në nëntor të 2016, me marrjen e rekomandimit të parë historik për hapjen e negociatave.

Kjo ndodhi vetëm falë votimit të reformës në drejtësi me 140 vota dhe falë Ilir Metës, që e realizoi atë.

Shqipërisë në atë kohë iu vendosën pesë kushte për t’u përmbushur në mënyrë që t’i hapej rruga çeljes së negociatave.

Gjermania duke vendosur 9 kushte, pra duke shtuar goditjen e krimit zgjedhor, votimet e paligjshme të 30 qershorit dhe ngritjen e gjykatave më të larta duke filluar nga Kushtetuesja vulosi kapjen e shtetit, drejtësisë dhe votës së lirë nga Rama.

Pra Gjermania i vuri vulën degradimit dhe jo ecjes përpara të Shqipërisë për shkak të qeverisjes së Edi Ramës.

Është sigurisht tragjikomike të shohësh që euroburokratë të caktuar në BE, që nga njëra anë flisnin me gojën plot për gjoja përmbushje të kërkesave nga Shqipëria nga ana tjetër pranonin 9 kushtet gjermane.

9 kushtet e Gjermanisë ishin prova dërrmuese e dështimit të Ramës, por edhe të Europës burokratike dhe të eurodiplomacisë kanabiste.

Prova më e shëmtuar ishte, kur këta euroburokratë flasin për sukseset e një Shqipërie, që nuk ekziston dhe qenë të kundërt të fjalëve të tyre, është realisht e zhytur në probleme kritike të demokracisë dhe shtetit ligjor, probleme që vetëm shtohen e rëndohen.

Gjermania dhe Makron ishin komplementare dhe të së njëjtës bindjeje, e të të njëjtit qëndrim refuzues ndaj antishtetit të Ramës dhe eurodiplomacisë kanabiste.

Pranimi i raporteve të rreme dhe të akaparuara për Shqipërinë, të hartuara prej euroburokratëve kanabistë do të ishte dëmi më i madh, që mund t’u bëhej shqiptarëve.

Reforma të vërteta, të konsoliduara dhe të qëndrueshme kjo është ajo për të cilën Shqipëria ka nevojë sot më shumë se kurrë, pasi ndodhet në udhëkryqin e saj më të rrezikshëm.

Ndaj është shumë e qartë që s’ka asnjë diferencë mes Gjermanisë dhe Makron.

Makron gjithashtu imponoi, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë euroburokracia diplomatike e kanabisit, që dezinformon dhe u krijon alibi autokratëve, si antivlerë, si antimoral, si një bombë në themelin e principeve të BE dhe arsyeve të ekzistencës së saj.

Zyrtarë europiane, të cilët nga monitorues të rrepte kthehen në eurodiplomatë kanabistë, klientë dhe nëpunës të qeverisë në Shqipëri, nuk u duhen as shqiptarëve as Evropës vetë pasi mund të gërryejnë edhe vetë atë.

Edi Rama është humbësi i vetëm dhe pa asnjë alibi në të gjithë ketë proces dështimi për Shqipërinë që vuan izolimin për shkak të tij.

Edi Rama si armik i integrimit, prej gati një dekade, duke filluar nga turpi i bllokimit të integrimit për tre vite për një kryetar qarku në Fier dhe për më shumë se gjashtë vite duke ngritur narkoshtetin antieuropian, sot mbetet pengesa e vetme për hapjen e negociatave.

Largimi i tij është mision i të gjithë shqiptarëve sepse ai po lë jashtë Europës të gjithë ata pavarësisht bindjeve të tyre politike.

Gjermania dhe Makron e rrëzuan narkoshtetin, akaparimin eurodiplomatik kanabist.

Ata legjitimuan zemërimin e mijëra e mijëra shqiptarëve, që prej muajsh janë derdhur në sheshet e Shqipërisë dhe 85% e tyre refuzuan votimet e paligjshme komuniste të 30 qershorit.

Antishteti i Ramës është tashmë lakuriq në sytë e të gjithë Europës dhe botës.

Gjermania dhe Makron e bënë të vetën tani u takon shqiptarëve të bëjnë të tyren…

  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb