Petro Koçi, deputet i PS-së, nga studio e News24, tha se në vjeshtë do të nisin përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa intensifikimi do të bëhet nga janari e mbrapa.

Në rubrikën “Opinion”, Koçi theksoi se sot kemi një drejtësi që vepron dhe nuk do të habitej aspak nëse në burg apo nën hetim do të kishte shumë më shumë zyrtarë se sa janë sot.

“Pa Partinë Socialiste nuk do të kishte këtë lloj drejtësie, e cila nuk imponohet nga politika në vendimmarrjen e saj. Dikur kishim vendime 5-0, apo kemi ushtarakët e Gardës që duhej të shkonin në Prokurori dhe u penguan nga Sali Berisha. Kanë ndodhur thagma në këtë vend.

Kishim platformën e mosndëshkimit të korrupsionit dhe sot kemi platformën e ndëshkimit të korrupsionit. Mendoj se në zgjedhjet e ardhshme pikërisht duhet të fitojë kjo platformë.

Përtej asaj që thonë Sali Berisha dhe Ilir Meta për SPAK apo Altin Dumanin, opozita ka angazhim politik të qartë që duan të përmbysin drejtësinë e re, pra duan të rrëzojnë këtë platformën që lufton korrupsionin.

Drejtësia e re ka vlerësim maksimal të opinionit publik, ndërkombëtarëve dhe PS-së. Vetëm opozita ka kompleksin ndaj drejtësisë së re për shkak të Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Kjo është Republika me SPAK, është koha kur po goditen edhe ministrat e PS-së, ndërsa ata duan Republikën pa SPAK”, tha Koçi.

Ai shtoi se vula e PD-së i takonte Sali Berishës, por mund të them se ky është një kamp, një bllok politik që nuk ndryshon, që na kthem mbrapa. “Njerëzit duan të ecin përpara, duan progres. Rikthimi edhe në planin juridik të rikthimit të Sali Berishës në krye të PD-së tregon se ata nuk mund të distancohen nga ato ngjarjet e viteve më parë, qoftë edhe nga 1997”, tha Koçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb