TIRANE
Në kuadër të përkujtimit të ngjarjeve të rëndësishme për historinë e vendit, në vazhdën e përvjetorit të pavarësisë e çlirimit, Autoriteti i Dosjeve është ndalur në disa profile antifashiste që do të bëheshin më pas edhe antikomunistë. Shumë prej shqiptarëve të internuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në kampet italiane si ai i Ventotenes.
Shumë personalitete shqiptare kundërshtarë të fashizmit, të arsimuar në Perëndim, Francë, Austri, Gjermani, Itali, etj, zotërues të disa gjuhëve të huaja, aktivë në jetën kulturore, politike e shoqërore në vend, janë zhytur në harresën historike për sa i takon kontributit të tyre në lëvizjen antifashiste.
Të dënuar në Ventotene dhe ishujt e tjerë italianë, ata u dënuan nga të dy sistemet, fashizmi e komunizmi, për shkak të dritës që përcillnin, të forcës intelektuale dhe të ndikimit të fuqishëm te të tjerët.
Për fatet dhe rolin e tyre në histori, shkruan studiuesja Ardita Repishti nga Istituto Storico Italiano per l’Età Moderna e Contemporanea në studimin: “Internimet politike të shqiptarëve gjatë pushtimit italian, profilet antifashiste gjatë luftës dhe pas saj”, mbajtur në simpoziumin e AIDSSH : “Tepelena në dy kohë- Nga kazermat italiane te kampi me tela me gjemba”, mbajtur në gusht në kuadër të Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, fashizmit, nazizmit e komunizmit.
Nga rreth 130 veta të dënuar në Ventotene, gati gjysma e tyre u ridënua pas kthimit në Shqipëri dhe vendosjes së regjimit komunist. Një pjesë u asgjësuan pa mbaruar ende lufta, si Safet Butka, (shtator 1943), Zai Fundo (shtator 1944), Ismail Karapici (shkurt 1944).
Një pjesë u larguan nga atdheu me vendosjen e regjimit, si Isuf Luzaj, (bashkëthemelues i Ballit Kombëtar dhe i Partisë Socialdemokrate),Abaz Ermenji (Balli Kombëtar), apo profesor Stavro Skendi (Legaliteti). Familjet e tyre në Shqipëri ishin ato që vuajtën zgjedhjen e profesorëve që shkëlqyen në Perëndim.
Të tjerë u dënuan në vend, me vdekje, me burg, me internim, mosushtrim të të drejtave e lirive, mohim të pronësisë intelektuale. Mes tyre avokati Myzafer Pipa (i vdekur në hetuesi), kimisti Niko Lezo (i pushkatuar me intelektualët e bombës në ambasadën sovjetike), Faik Shehu (pushkatuar me grupin e deputetëve), Fazlli Frashëri (pushkatuar me pjesëmarrësit e Kongresit të Lushnjës), nacionalisti pejan Osman Taraku (pushkatuar nga gjyqi ushtarak i 1945), nacionalisti Ndue Pali (pushkatuar si eksponent i Ballit në 1945), Hasan Reçi (pushkatuar me grupin e dytë të deputetëve në 1948), shkrimtari Petro Marko (dënuar me burg, survejuar gjithë jetën, hequr disa herë e drejta e botimit) gjuhëtari Selman Riza (zotërues i 12 gjuhëve të huaja) transliteruesi i teksteve arbëreshe Izet Bebeziqi (zotërues i 11 gjuhëve të huaja), Dan Hasani (dënuar familjarisht), prof..Dr.Sulejman Lleshi, atentator në tentativë i Musolinit, (vrarë në burgun e Pejës, në 1946), Abdullah Shehri (po ashtu atentator në tentativë i Duces, i dënuar si ballist), botuesi Jean Gorguzi (i dënuar me burg), etj.
Të tjerë, makina e pushtetit i gllabëroi rrugës, si Abdyll Këllezi, Ahmet Jegeni, Hamid Keci, Sadik Bekteshi, Pëllumb Dishnica, Zef Mala.Të tjerë zgjodhën të tërhiqen nga veprimtaria politike e të shkojnë një jetë të qetë.
Krijimi i tablosë së plotë të shqiptarëve të dënuar në Ventotene dhe ishujt kufitarë e më gjerë në të gjithë Italinë, në qendra të ndryshme të dedikuara, Bari, (Grumo), Perugia (Colfiorito, Monte Santa Maria Tiberina), si edhe në Shqipëri, është impenjativ.