TIRANE

Një aparaturë e re do të jetë shumë shpejt në duart e mjekëve shqiptarë për të identifikuar në kohë të hershme qelizat tumorale.

Është fjala për Petskanerin, një skaner i dyfishtë që përmes teknologjisë së avancuar bën të mundur identifikimin e qelizave tumorale në faza tepër të hershme të shfaqjes së tyre dhe që deri më sot nuk mund të identifikoheshin me skanerin normal.

Petskaneri, do të instalohet shumë shpejt në spitalin “Hygeia” dhe është në gjendje të dallojë lezione shumë të vogla tumorale deri në 7 mm, sikurse tregon Dr. Ledio Bregu, Drejtori i Departamentit të Radioterapisë. Spitali Hygeia prej krijimit të tij ka një departament të konsoliduar të radioterapisë.

Aparati

Ky spital ka futur për herë të parë trajtimin e qelizave tumorale me akseleratorë linearë duke i dhënë fund trajtimeve me kobalt që përdorshin atëherë në Shqipëri dhe që ishin të vjetruara.

“Teknologjitë e reja ofrojnë mundësinë e trajtimeve shumë precize ku nuk ka vende për gabime dhe që ruajnë organet e tjera në maksimum, gjithashtu me një dozë maksimale rezultati. Në një të ardhme shumë të afërt, aparatura të reja të radioterapisë do të hyjnë në spitalin Hygeia, në mënyrë që pacientët shqiptarë të mos duhet të shkojnë jashtë vendit”, tregon Dr. Bregu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb