225 gr miell
0.5 litra ujë
3 kokrra vezë
Kripë
2 lgj vaj ose gjalpë
150-200 gr djath i bardhë
7-8 thelpinj hudhër
Vaj ulliri
Në një tas vendosim ujin dhe miellin dhe e trazojmë mirë me telin e vezëve derisa të krijohet një masë homogjene. Më pas shtojmë vezët dhe vazhdojmë përzierjen derisa masa të lidhet dhe të bëhet kremoze. Në fund shtojmë kripën dhe 2 lugë vaj.
Ngrohim tiganin në temperaturë mesatare dhe e lyejmë atë me pak gjalpë ose vaj duke e fshirë tiganin dhe më pas shtojmë 1 garuzhde me brumë duke e hapur në të gjithë sipërfaqen e tiganit, njësoj siç veprojmë me krepat. E lemë 2 minuta të piqet dhe e kthejmë duke e pjekur petullën e fshirë nga të dy anët. Kështu veprojmë derisa të mbarojë i gjithë brumi.
Lyejmë një tavë të vogël me pak gjalpë ose vaj ulliri dhe vendosim petullat e shtrira duke vendosur mbi çdo petull pak djath të thërrmuar, hudhra të grira imët dhe pak vaj ulliri. Kështu vazhdojmë deri në përfundimin e petullave, e spërkasim në fund sipërfaqen me djath, hudhër dhe pak gjalpë dhe e vendosim tavën në furrë në temperaturën 220 gradë Celsius për 20 minuta.
(er.cu/Vila24/Balkanweb)