Pak vite më parë në një ekspozitë të tij personale në Tiranë, pas vitesh të tërash heshtje, u kthye piktori i njohur shqiptar Naxhi Bakalli. Me artin e tij të mrekullueshëm pikturik, me aftësitë për t’i kumtuar bukur idetë e tij filozofike dhe konceptet në art, ai një moment do t’i përgjigjej dikujt lidhur me një pyetje për kaosin, që e rrethonte kudo vendin. “Unë dhe në pezull mbahem”, i tha shkurt. Pastaj, duke parë mbetjen e njerëzve para foljes së tij ua kumtoi me pak fjali të tjera të shkurtra konceptin.

…Shumë vite më pas, pakkush kujtohet për këtë shprehje të piktorit Bakalli, porse në thellësi ajo mbart vetëdijën e çdo njeriu që e ndjen veten pjesë e këtij vendi: shqiptari jeton në një pezull të frikshëm, ku nuk di se ç’po i ngjet, çdo t’i ngjasë dhe ku do të shkojë. Por, më shumti, kjo gjëndje është ndjerë në dekadën e fundit kur ish-kryeministri Sali Berisha po e ndan pushtetin e tij me kryeministrin aktual Edi Rama.

Shqipëria për shkak të zvarritjes së Reformës në Drejtësi dhe mos dakordësimit të shëmtuar ka mbetur pa dy Gjykatat kryesore në vend, Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Shqipëria ka ende të pazgjidhur problemin madhor të vendit që lidhet me pronat dhe po përpiqet shumë të sistemojë ngërçin e pafundmë me ndërtimet pa leje.

Shqipëria ka mbi kurriz një faturë të frikshme të pagesës së pronarëve nga Strasburgu dhe një faturë që e mbart prej vitesh për të përndjekurit. Shqipëria ka një Reformë Territoriale, që është e mbathur me probleme prej moskuptimit por edhe paqartësisë së komunave. Ashtu, si ka një shef të Shërbimit Informativ, që nuk është i dekretuar ende nga presidenti i vendit dhe që parashikimet e bëjnë të mendosh se do t’i kthejë varg ligjet e Socialistëve. Për më tepër, Shqipëria nuk gjen dot gjuhën me Opozitën sepse të gjithë janë kundër të gjithëve, mjafton që kryeministri i vendit të mos ketë sukses në asnjë nismë bashkë me qeverinë e vet, ashtu si pozita e sotme, në opozitë nesër, nuk do gjejë kurrë gjuhën me opozitën, kur të jetë në fuqi.

Shqipëria, në vend të varfërisë së skajshme dhe braktisjes masive të vendit, flet për rastin “Babale”, kurse prokuroria ende është duke u marrë me rastin, ndërsa kryeprokurorja e përkohshme, që nuk ka fuqi të plota, për shkak të mandatit, mezi shprehet. Këtu prokurorin e bëjnë analistët kurse vetë prokurorët po qëndrojnë strukur prej Vetting. Gjyqtarët e mbetur heshtin dhe janë pezull sepse mbi kokë u rri frika e Vetting-ut të pamëshirë, që po tregon që gjithsesi nuk është aq i drejtë. Në Shqipëri nuk flitet për vrasjet, pas të cilës qëndrojnë të fortët, sepse të heqin qafe, ashtu si pak flitet për ndërtimet, ku emrat diheshin shumë vite para se të merreshin lejet.
Shqipëria nuk di çfarë të prodhojë, sepse modelet e vendit tona janë ende të mjegullta, vetëm se kurdo e në çdo moment prodhon kaos. E në këtë të fundit është shumë mirë për shqiptarët, sepse në pezull arrijnë të qëndrojnë qetësisht. Po politikanët? Ata e kanë vendin të qetë në shprehjen lapidar të Faik Konicës: “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”. (Homo Albanicus-Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb