Avokati Marash Logu, i cili përfaqëson juridikisht kreun e grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka komentuar pezullimin e çështjes “Xibraka” nga SPAK, i ftuar në emisionin “Open” në News24.
Ky vendim i SPAK erdhi pas rihapjes së çështjes bazuar në provat e reja të sjella nga Bardhi, por së fundmi, Prokuroria e Posaçme njoftoi pezullimin e hetimeve.
Logu shpjegoi se ka tre problematika kryesore që lidhen me këtë rast. Së pari, ai theksoi shkeljen e standardit të transparencës nga SPAK, duke theksuar se veprimet hetimore nuk janë publikuar në detaje, siç kërkohet në çdo rast të tillë. Sipas Logut, SPAK nuk ka dhënë një sqarim të plotë mbi veprimet hetimore dhe arsyet që çuan në pezullimin e çështjes.
Problematika e dytë që Logu ngriti kishte të bënte me emrin e prokurorit që ka hetuar rastin. Ai argumentoi se për një hetim të pavarur, duhej të kishte një prokuror të tillë, ndërsa vuri në dukje që prokurori i angazhuar në këtë çështje kishte manipuluar ngjarjen e 21 prillit 2021 në Elbasan me deklaratat e tij. Logu po ashtu përmendi se pas deklaratave të Gazment Bardhit kundër këtij prokurori, ata vlerësuan se ai nuk garantonte paanshmëri dhe kërkuan përjashtimin e tij nga hetimi, por kërkesa e tyre u rrëzua.
Problemi i tretë, sipas Logut, lidhej me kontradiktat në deklaratën e SPAK. Ai theksoi se SPAK fillimisht deklaroi që hetimet kishin përfunduar, por më pas njoftoi pezullimin e çështjes. Logu argumentoi se, nëse hetimet do të ishin përfunduar, prokurori duhej të kishte kërkuar pushimin e çështjes në gjykatë dhe jo ta dërgonte dosjen përsëri në policinë e shtetit.