Avokati Mirash Martini, i ftuar në studion e News24, ka komentuar mbi urdhrin ekzekutiv të presidentit amerikan Donald Trump për pezullimin e fondeve, i cili prek edhe Shqipërinë.
Sipas Martinit, pezullimi është një masë 90-ditore, por agjencitë amerikane mund të rishikojnë financimet edhe më shpejt, duke i përshtatur ato me politikat e administratës së re.
“Politika e ndihmës amerikane do të vazhdojë, por mund të ristrukturohet dhe të orientohet në drejtime të tjera. Nuk besoj se ndihma për Shqipërinë do të cenohet, por mund të rimodelohet,” – tha ai.
Martini theksoi gjithashtu se ky pezullim nuk pritet të ndikojë në vijueshmërinë e punës së SPAK dhe reformës në drejtësi, duke nënvizuar se mbështetja amerikane për këto procese mbetet e rëndësishme.
“Ky është një pezullim 90-ditor. Në interpretimin e saj është thënë që edhe më shpejt se 90 ditë agjencitë mund të rishikojnë financimet, për t’i vazhduar ato sipas politikave dhe interesave të administratës së re amerikane.
Politika e ndihmës amerikane do vijojë si më parë por do rishikohet, strukturohet dhe mund të vijohet në drejtime të tjera. Asnjë ndihmë që ka lidhje me Shqipërinë nuk besoj se ka për t’u cenuar, por mund të rimodelohet. Nuk besoj se cenon vijueshmërinë e punës së SPAK dhe reformës në drejtësi”, u shpreh ai.
(BalkanWeb)