Nga ERJON SKËNDAJ*

TIRANË – Fakulteti i Mjekësisë ka vendosur të pezullojë 10 kuotat e specializimeve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave për Shëndetin Publik, duke skualifikuar në fund të garës, fituesit, me pretendimin se nuk kanë diplomë të Fakultetit të Shëndetit Publik, por diplomë të Mjekësisë së Përgjithshme.

Ky vendim, që sipas drejtuesve të fakultetit mbështetet në rregullore, ka irrituar kandidatët fitues, që thanë se do ta çojnë çështjen në gjykatë për shkelje ligjore.

Mjekja kandidate Entela Hamiti tha për “News 24”:

“Mbas provimit u dhanë pikët dhe u bë renditja. Pashë në listën paraprake që isha renditur e treta në “Shëndetin Publik” si dhe në listën përfundimtare, që ka dalë dje në mbrëmje vonë, listë ku janë gjithsej 10 kuota. Vij për të marrë degën e “Shëndetit Publik” dhe më thonë: “Ty zonjë, nuk të lejohet të marrësh degën e “Shëndetit Publik!”. Pyes: “Po pse? Unë jam renditur e treta!” dhe përgjigja ishte: “Ju keni mbaruar ‘Mjekësi’ dhe jo ‘Shëndet Publik’!

Kam marrë, me gjithë mesataren dhe intervistën, 715 pikë dhe penalizohem se nuk kam master në “Shëndet Publik”, gjë që nuk është thënë më përpara. Më thonë: “Po ne kemi nxjerrë një rregullore…” Kërkoj që pse nuk thonë që këto 10 kuota do të digjen, nuk do të zhvillohen e më thonë: “Ju jeni mjeke dhe juve nuk ju lejohet “Shëndeti Publik”.

Këto kuota janë djegur, por ne nuk dimë, nuk kemi transparencë se çfarë bëhet me to…Mbas një ankimimi në Fakultet, ku do të marr të njejtën përgjigje që mora me gojë, kam ndërmend t’i drejtohem gjykatës. Justifikimi qe që këtë e ka bërë sekretarja dhe ne tani e kapëm!” – përfundoi Hamiti.

Mjeku tjetër kandidat, Gentian Decolli, tha: “Ne jemi renditur në një listë, ku praktikisht jemi të gjithë fitues. Tani rezulton se nuk ka asnjë fitues. Kjo degë është zhdukur, është bërë fantazëm, sepse këta kanë nxjerrë një rregullore, që më përpara s’e ka ditur asnjë njeri. Tani të na shpjegojmë ku ishte e shkruar, si ka mundësi një gjë e tillë, kush e ka thënë.”

DEKANIA RAKACOLLI: KISHIN APLIKUAR DHE PER 2 ALTERNATIVA TE TJERA, NDAJ S’MUND T’UA HIQNIM DOSJEN

Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Mira Rakacolli, e pyetur për këtë çështje, tha:
“Në rregulloren e specializimeve afatgjata të bërë publike para se të fillonin specializimet, ishte shprehur shumë qartë që kandidatët që duan të konkurojnë për “Shëndet Publik” duhet të kenë përfunduar fakultetin e “Shëndetit Publik”, pra, duhet të jenë të pajisur me një master në “Shëndetin Publik”. Kandidatët që e pretendojnë dhe e kanë bërë, janë rreth 12 të tillë, përveç “Shëndetit Publik” kishin plotësuar dhe dy alternativa të tjera për “Mjekësinë e Përgjithshme”. Ne, duke parë atë aplikim të gabuar, që secili e lexon dhe e shikon, mund edhe t’ia kishim hequr dosjen fare, por atëherë do të ishte e padrejtë, sepse do të na thoshin “Mirë na hoqët ‘Shëndetin Publik’, por pse s’na konsideruat për dy alternativat e tjera?! Dhe ne bëmë atë që duhej për dy alternativat e tjera. Universiteti, Fakulteti i Mjekësisë mund t’i pranojë këta kandidatë, por këtu duhet një vendim ministrie. Nuk është më tagër as e universitetit, as e fakultetit.”

(ar.sh/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb