Nga: AURORA KOROMANI*
TIRANE – Pezullohet nga detyra shefi i Komisariatit Nr.2 në kryeqytet. Me urdhër të kreut të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Artan Didi, është pezulluar ditën e martë nga posti i tij Ilir Proda, i cili prej afro një viti ishte zgjedhur kryepolic i Komisariatit Nr.2, duke zëvendësuar Dritan Dordën. Sipas burimeve policore, pezullimi i tij ka ardhur pasi Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur hetimet, pasi Proda dyshohet se ka thyer procedurat pas marrjes së një denoncimi në këtë komisariat. Mësohet nga të njëjtat burime se masë pezullimi ishte marrë edhe për shefin e Krimeve të komisariatit, Agim Hoxha, por ditën e djeshme ai është kthyer sërish në punë.
Pezullimi
Shefi i Komisariatit Nr.2 është larguar përkohësisht nga detyra e tij, deri në një urdhër të dytë, që do të vendosë nëse Proda do të rikthehet sërish në krye të këtij komisariati apo do të transferohet diku tjetër. Burime pranë Ministrisë së Brendshme sqarojnë se ditën e martë, Drejtoria e Standarteve në Policinë e Shtetit ka bërë një kontroll në komisariatin që ndodhet pranë zonës së “21 Dhjetorit”, dhe gjatë kontrollit janë vënë re mangësi në dokumentacionin që kishte përpiluar Proda, por edhe vartësi i tij, shefi i krimeve, në të njëjtën kohë edhe zëvendësshef i komisariatit, Agim Hoxha. Sipas të njëjtave burime, ky ka qenë motivacioni zyrtar se përse drejtuesit e këtij komisariati janë pezulluar, edhe pse Hoxha është rikthyer sërish dje në detyrë. Por, burime të sigurta nga SHKB-ja pohojnë se shkaku se përse Drejtoria e Standarteve ka shkuar për kontroll te Komisariati Nr.2, ka qenë shkelja e procedurave të një kallëzimi sipas numrit unik nga ana e Ilir Prodës. Burime pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm bëjnë me dije se disa ditë më parë, në Komisariatin Nr.2 është paraqitur një person duke denoncuar se një vajzë e ngacmonte në telefon. Mësohet se në vend të marrjes së kallëzimit nga ana e specialistëve të komisariatit, Proda ka zgjedhur mënyrën e ballafaqimit të dy palëve. Në momentin e ballafaqimit mes vajzës dhe denoncuesit, në kallëzimin e bërë pranë SHKB-së, pretendohet se Proda ka ushtruar dhunë ndaj vajzës, duke i bërë edhe presion për të mos e bezdisur më në telefon djalin që ka bërë denoncimin. Pas kësaj, vajza ka bërë kallëzim pranë SHKB-së, nga ana e të cilit kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Mësohet se dijeni për këtë situatë ka pasur edhe shefi i Krimeve të komisariatit, Agim Hoxha, për të cilin është marrë e njëjta masë penalizimi. Por, nga burime brenda policisë sqarojnë se ditën e djeshme Hoxha është rikthyer në punë, tashmë në detyrën e kreut të komisariatit, derisa të vendoset se çfarë do të bëhet me Prodën.

 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: