TIRANE
Tetor 1918. Pasi i mbijetuan masakrës së Luftës së madhe, Alberti dhe Eduardi gjenden të margjinalizuar nga shoqëria. Në romanin “Mirupafshim atje lart”, shkrimtari francez Pierre Lemaitre, rrëfen trazirat e pasluftës, iluzionet e armëpushimit, hipokrizinë e shtetit që lëvdon të vdekurit e por harron të gjallët. Fituese e çmimit “Goncourt” në Francë, vepra u shpall më e mira e përkthyer ne shqip nga frëngjishtja këtë vit.
“Libri i Pierre Lemaitre është jehonë e luftës së madhe që shkaktoi pasoja gjatë luftës, por edhe pas saj pasojat ishin tepër të rënda dhe kjo është e vlefshme për çdo periudhë, luftë të madhe e katastrofë”, thotë përkthyesja Lindita Gjetani.
Përmes një stili që të mban mbërthyer dhe duke ndjekur traditën letrare të Dumas apo Hugosë, Lemaitre, sjell fatet e trishta të një brezi të humbur që bën një sakrificë që nuk i njihet.
“Është një libër që të rrëmben që në faqet e para. Nis me 10 ditët e fundit të faqeve të para, parë nga personazhet kryesore të librit. Ka profile psikologjike, në të gjejmë marrëdhëniet njerëzore, ndjejmë dashuri e urrejtje dhe kemi marrëdhëniet mes prindërve e fëmijëve”, tha Gjetani.
T’i mbijetosh luftës duket se nuk është fitorja e madhe, pasi t’i mbijetosh paqes duket po aq e vështirë. E ndërsa konfliktet e ndjekin njerëzimin në çdo epokë, historitë njerëzore e bëjnë më të qartë se çfarë ndodh me njerëzit kur lufta nis e mbaron.