TIRANE – Akciza mbi pijet energjike do të mbetet në fuqi. Ky ndryshim u konfirmua nga deputetët e Komisionit për Ekonominë, të cilët rrëzuan qeverinë për heqjen e akcizës për pijet energjike, duke vendosur që këto pije të vijojnë të taksohen me akcizë.

Kryetari i komisionit, Erion Braçe u shpreh se për pijet energjike do të paguhet akcizë, pasi çdo vend i BE aplikon regjim taksimi për këto pije. Braçe theksoi se akciza do të jetë 30 lekë për litër.

Qeveria propozoi heqjen e akcizës me arsyetimin se nuk është administruar mirë, për shkak të vështirësive në zbatimin nga administrata dhe për shkak të veprimeve që kanë bërë operatorët ekonomikë në deklasifikimin e produkteve energjike gjatë importit.

Sipas relacionit të qeverisë, në përcaktimin e pijeve energjike ka shumë elemente teknike, për të cilët administrata doganore ka pasur vështirësi në klasifikimin e tyre, sidomos, për sa u përket elementeve përbërëse të produktit “pije energjike”, përqindja e të cilave përcakton se produkti është apo jo pije energjike, dhe aktualisht ajo nuk mund të analizohet në laboratorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave apo në ndonjë laborator tjetër në Shqipëri.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: