Sfida mes Bylisit dhe Dinamos pati disa momente interesante, që i sjell “Panorama Sport”.

*Ndeshjen mes Bylisit dhe Dinamos e kanë ndjekur rreth 500 tifozë. Nuk mungoi tifo-grupi i Dinamos “Blue-Boys”, i pozicionuar në të majtë të tribunës kryesore.

*Debutime lojtarësh ka pasur edhe dje në Ballsh. Bylisi aktivizoi për herë të parë Mario Gjatën, Eduard Mahmutin dhe Almeidën. Me fanellën e Dinamos luajtën për herë të parë Dejvi Bregu dhe Bekim Maliqi.

*Disa lojtarë kishin statusin e ishit në këtë ndeshje. Lorran dhe Qardaku kanë luajtur më parë me Bylisin, kurse Marin Abazaj dhe Marjo Gjata kanë qenë pjesë e bluve.

*Bylisi kishte dhe disa “tifozë specialë” në tribunën e stadiumit, ku disa lojtarë të mbetur jashtë 20-shes mbështesnin shokët e tyre.

*Erë e fortë në Ballsh rreth minutës së 20-të, nga lindja në perëndim, duke ua vështirësuar pasimet lojtarëve. Pati edhe reshje shiu, që e bënë terrenin më komod. Ra në sy largimi i tifozëve dhe rikthimi i tyre pas 10 minutave, kur shiu pushoi.

* Muzek acarohet një moment me një shok të skuadrës, që nuk ishte pozicionuar më mirë për të marrë topin.

*Protesta nga stafi i Dinamos dhe tifozët e saj, ndërkohë që edhe në tribunë drejtuesit prisnin, nëse do të akordohej gol ose jo rasti kur Qardaku e dërgoi topin me rrjetë.

*Në një moment, kur loja ishte e ndërprerë, një tifoz vendas i është drejtuar Qardakut: “O Qardak, mos u bëj hajdut, apo ke filluar shënon gola me dorë tani?!”

*Ka festë në fund nga lojtarët me ata pak tifozë në tribunën përballë dhe atë kryesore. Blutë janë larguar të zhgënjyer drejt dhomave të zhveshjes, kurse ballshiotët, bashkë me stafin dhe drejtuesit kanë festuar në dhomën e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb