Gjatë sfidës mes Dinamos dhe Elbasanit pasit disa momente interesante, si koret anti-Tirana të tifozëve verdheblu, apo nervozizmi i Bordi për një anësore. “Panorama Sport” sjell gjithë episodet:

– Edhe pse ishte Dinamo organizatore, tribunat në stadium ishin të ndara sikur ishte Elbasani pritës. Ultrasit dinamovitë ishin pikërisht në sektorin e miqve, ndërsa pjesa tjetër u përkiste verdhebluve. Ishin çmime më të larta se zakonisht, por tifozët elbasanas nuk zhgënjyen, me rreth 4 mijë të pranishëm.

– Bordin e tërbon një rivënie anësore kundër skuadrës së tij, pasi ndodhi përpara stolit dhe sipas tij ishte vendim i gabuar. Bërtet italiani, por vendimi nuk kthehet.

– Në minutën e 20-të, disa efektivë të policisë “parakalojnë” në stadium, duke sjellë për një moment irritim te tifozët. Ata u stacionuan në njërën prej daljeve të stadiumit dhe qëndruan aty në gatishmëri.

– Bordin nxjerr lojtarët e stolit në nxemje që në minutën e 25-të, për t’i pasur gati për ndonjë rast të papritur. Edhe Xhafa bën të njëjtën gjë.

– Ndeshja ishte kundër Dinamos, por tifozët e Elbasanit kanë bërë “nxemjen” për Tiranën. Gjatë gjithë kohës ata nuk i ndalnin koret dhe sharjet ndaj ekipit bardheblu, me rivalitetin që ka nisur sezonet kur këto dy skuadra luftonin për titull, në 2000-shin.

– Pati një keqkuptim mes kryesorit dhe anësorit të parë për një rivënie anësore. Në fund Doda ia akordon rivënien Elbasanit.

– Lulaj, si një kapiten i vërtetë, i jep zemër Totoshit pas golit të pësuar, ku ai nuk devijoi dot një top në dukje të lehtë.

– Lojtarët e Dinamos po vononin lojën në fund, duke sjellë pakënaqësi tek elbasanasit. Arbitri detyrohet të tregojë orën, duke nënkuptuar se po mbante shënim për t’i shtuar minutat në fund.

– Presidenti i Dinamos, Ardian Bardhi, nuk i sheh minutat e fundit të ndeshjes, duke lënë para kohe stadiumin. Ndoshta ka preferuar të mos e kapin “ethet” e minutave të fundit.

– Një incident ka ndodhur mes tifozëve pas ndeshjes, teksa ata verdheblu kanë sulmuar autobusin e tifozëve të Dinamos.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb