Ndeshja nisi me një moment vërtet të veçantë. Ngjarja e rëndë ku një sherr mes adoleshentësh ka përfunduar me vdekjen e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli”, ka tronditur të gjithë opinionin publik në Shqipëri.

Në nder të tij, në ndeshjen Shqipëri-Ukrainë u mbajt 1 minutë heshtje. Një tragjedi e rëndë, si një përkujtim për djaloshin e ndarë në mënyrë të parakohshme nga jeta, por si një kambanë alarmi që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

Moment shumë drithërues kur të gjithë tifozët në korr po bërtisnin emrin e djaloshit të ndjerë. Jo vetëm kjo, pasi “Panorama Sport” ju sjell të gjitha momentet e veçanta të takimit.

* Rreth 15 minuta përpara se të fillonte takimi, drejt stadiumit shihet ish-kapiteni i Kombëtares Igli Tare që i drejtohet shkallëve.

* Të pranishëm në stadium ishin plot 20 mijë e 547 tifozë të pranishëm, përfshi këtu edhe 500 tifozë ukrainas.

* Ndryshe nga ndeshja me Çekinë, ku himni i vërshëllye, me Ukrainën nuk ndodhi diçka e tillë. Megjithatë, kur tifozët kuqezi filluan koret e tyre, dy oficerë të UEFA-s u afruan pranë tyre duke mbajtur shënime.

* 15’ Jasir Asani përplaset me trajnerin e Ukrainës Rebrov, por e gjitha ishte e paqëllimshme, sepse anësori ishte me shpejtësi dhe përplasja nuk mund të shmangej.

* Mosmarrëveshje në fushë. Në një moment gjatë pjesës së parë shihet Laçi i cili shkëmben disa fjalë me Asanin. Qazimi i kërkon që të mbulojë pjesën më mbrapa.

* Moment i veçantë. Minuta e 30-ë dhe lojtari ukrainas dëmtohet. Ndalohet loja dhe nga stafi i Shqipërisë asnjë sinjal. Rezultati ishte 2-0 për miqtë dhe është Asllani i cili i drejtohet pankinës për të marrë ndonjë udhëzim nga Silvinjo se çfarë duhet të bëjnë.

* Ukraina zbret në gjysmëfushën e Shqipërisë me mbrojtësin. Aty presingun duhet ta bënte Daku i cili mbetet para. Ramadani shfaq shenja pakënaqësie dhe i bërtet Mirlindit se duhet t’i shkojë ai aty.

* Momente tensioni u regjistruan në pushimin e pjesës së parë të duelit mes Shqipërisë dhe Ukrainës, në sektorin ku ishin të pozicionuar anëtarët e tifogrupit “Tifozat Kuq e Zi”. Nuk mungoi ndërhyrja e forcave të rendit, të cilët duket se kanë shuar gjakrat, teksa më pas u rikthye normaliteti, me “Tifozat Kuq e Zi”, që nuk rreshtin së mbështeturi kombëtaren kuqezi.

* Pjesë e parë zhgënjyese për Shqipërisë, që i mbylli 45 minutat me rezultatin 0- 2 ndaj Ukrainës. Një rezultat tejet zhgënjyes ky i kuqezinjve, ndërkohë që tifogrupi “Illyrian Elite”, ka vendosur të largohet nga stadiumi pa u mbyllur pjesa e parë.

* 47’ Bajrami i sapofutur në fushën e lojës, karikon tifozët në një këndore. Të gjithë kërkojnë kthesën.

* Muçi lëndohet dhe ecën në fushë. Fantazisti provon disa herë të lëvizë, por pa sukses duke e humbur topin menjëherë. E provon edhe njëherë dhe kthehet nga Silvinjo duke i thënë të presë. Por, pas 2 minutash nuk vazhdon dot më dhe Hoxha hidhet menjëherë në fushë.

* Kroson Bajrami nga këndorja në shtyllën e parë dhe asnjë lojtar nuk është aty. Më pas iu kthehet shokëve të skuadrës dhe me gisht ia u bën që duhet të ishit aty.

* 73’ Gjyqtari rrëzohet në mesfushë. Pasi ngrihet aksioni që Kombëtarja po krijonte, kthehet në penallti të fituar. Dikush nga tribuna tha: “Do ta kthejë se ishte i turbullt nga rrëzimi”.

* 74’ Shqipëria fiton penallti me Uzunin. Sulmuesi afrohet për ta ekzekutuar, por aty ndodhet edhe Bajrami. Të dy lojtarët shkëmbejnë disa fjalë. Duket qartë se Uzuni kërkonte të godiste për tu zhbllokuar me ekipin kombëtar, por Bajrami nuk tërhiqej. Aty afrohet Asllani dhe tërheq Myrton.

* 80’ Flamuri i këndores ishte hequr. Aty Mitaj priste të ekzekutonte anësoren, por po mundohej që ta rregullonte. Nuk po arrinte dot dhe vjen gjyqtari me Tucin që e ndihmojnë.

* Një faull çmend Silvinjon i cili nuk është dakord. Protesta dhe gjyqtari i katërt që mundohet ta qetësojë.

* Është fundi i takimit dhe po luhen minutat shtesë. Këndore dhe Strakosha shkon në zonën ukrainase. Duke vrapuar shikon nga stafi ku Zabaleta del dhe i thotë që jo sepse ka edhe dy minuta për tu luajtur. Por, portieri nuk dëgjon dhe shkon në zonë, edhe pse pa rezultat.

* Në përfundim të takimit, të gjithë lojtarët përshëndetin rreth fushës ata pak tifozë që kishin mbetur në stadium. Myrto Uzuni takohet me trajneri Rebrov të Ukrainës me të cilin kanë punuar bashkë te Ferencvarosh në Hungari. Myrto ishte i vetmi i cili ndërroi fanellën. Ndërkohë Zabaleta mori fanellën e Zinçenkos.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb