Ndeshja e djeshme mes Tiranës dhe Elbasanit, veç lojës ka pasur edhe momente që nuk janë kapur nga kamerat. Ja disa prej tyre.

-Në fund të ndeshjes, Agim Ibraimi takohet me gjithë stafin e Elbasanit. Një bisedë e shkurtër me Lulajn, të cilin e ka pasur shok skuadre te Kukësi. Qëndrim Ismaili takohet me administratorin e Elbasanit, por jo vetëm. Fundi i sfidës është një vend diskutimi për sfidën e barazuar

. -Gentian Selmani merr skuadrën dhe shkon te tifozët e Tiranës për t’i përshëndetur. Pak minuta më parë skuadra nuk ishte afruar te përkrahësit, ndërsa këtë herë e bën pa droje.

-Protesta të ashpra të Agim Ibraimit, Bledi Shkëmbit dhe disa lojtarëve të Tiranës në fund të lojës. Ata i hakërrehen gjyqtarit të ndeshjes për penalltinë e dhënë në minutat shtesë, por edhe gjykimit me shumë ndalesa të lojës.

-Sfidën e ndjekin dy presidentët e skuadrave, por edhe kryetari i Bashkisë Elbasan dhe figura të tjera sportive të dy qyteteve dhe jo vetëm.

-Elbasani futet i pari në fushën e stërvitjes për të bërë nxehjen. Më pas janë edhe bardheblutë në fushën e lojës.

-Në stadium kanë qenë rreth 4000 mijë tifozë. Vetëm Elbasani kishte marrë 700 bileta, ndërsa gjatë lojës nuk munguan ofendimet mes dy tifozërive, shashkat, flakadanët dhe copat e stolave të hedhur në fushë. Nuk mungojnë përplasjet dhe ofendimet mes dy tifozërive, një histori e përsëritur mes palëve. Elbasanasit hapin edhe një banderolë: “Tiefogrup me jabanxhi, pa stadium e pa shtëpi”.

-Në sektorin e tifozëve të Elbasanit, ishte i shpalosur edhe flamuri i “Vllaznit ultras”. Dy tifozëritë janë të binjakëzuara.

-Shumë trajnerë dhe lojtarë ishin të pranishëm në stadium. Mes shumtëve edhe Marko Diarmati, Thomas Brdariç apo edhe ish-lojtari bardheblu Ardit Deliu.

-Gjatë 90 minutave lojë trajneri italian i Elbasanit vetëm udhëzon. Bordinin nuk e mban asgjë. Në çdo moment ulërit dhe jep udhëzime.

-Grent Halili nuk hyn në dhomat e zhveshjeve, pasi është i dënuar nga Komisioni i Disiplinës.

-Për Tiranën është ndeshja e pestë radhazi që gjykohet nga arbitra të dorës së dytë. Në asnjë ndeshje, bardheblutë nuk janë gjykuar nga një arbitër i “FIFA”-s.

-Gjyqtari Shahini mbyll pjesën e parë 4 sekonda më parë, kur Tirana po sulmonte në zonën e Elbasanit. Protesta të Shkëmbit për vendimin e gjyqtarit, që duhet të linte mbylljen e aksionit të fundit

. -Në një moment të lojës, zhduket topi, të gjithë kërkojnë sferën, por në vend të një, hidhen në fushë njëherësh 5 topa.

-Tirana vazhdon të jetë e pamposhtur si në kampionat dhe kundër Elbasanit që nuk fiton me bardheblutë prej 15 vitesh.

-Ze Gomesh lë lojën i dëmtuar në fund të pjesës së parë. Pesha e tij u ndie në repartin e sulmit të Elbasanit gjatë pjesës së dytë edhe pse zëvendësuesi mori një penallti.

-Emiliano Musta pas humbjes së penalltisë ndihet në faj. Ngre dorën dhe u kërkon falje tifozëve të Elbasanit. Madje, një veprim të tillë e bën dy-tre herë duke bërë “mea culpa”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb