Nga Muzaka, që pritej të zëvendë sohej një minutë para se të fitonte penalltinë, te kontestimet për Micin dhe fjalimi motivues i Milinkoviçit pas ndeshjes. Kukësi-Skënderbeu ishte një sfidë e veçantë, ku tensioni ishte i pranishëm tek të dyja skuadrat, por mbi të gjitha sjellja e tifozërisë vendëse nuk i tejkaloi caqet.

*Në minutën e 80-të, trajneri Daja vendosi të zëvendësojë Muzakën, për të hedhur në fushë Nazmi Gripshin. Mirëpo, loja nuk po ndalohej për ndonjë rivënie fundore apo anësore që ndërrimi të kryhej. Në këto kushte, loja vazhdoi dhe një pasim i Lilajt për Muzakën, bëri që ky i fundit të fitonte penalltinë.

Në moment trajneri i portierëve, Bozhiqi, sinjalizoi arbitrin e katërt që të mos e kryente ndërrimin. Situata në pankinën korçare ishte e çuditshme, pasi të gjithë e kishin mendjen te penalltia. Pasi u shënoi goli, Daja u mundua të ngushëllonte Gripshin, duke i thënë se ndërroi mendje dhe do ta aktivizonte më pas.

* Në momentin kur gjyqtari Meta akordoi penallti për Kukësin, trajneri i Skënderbeut u acarua aq shumë me vendimin, saqë shkoi direkt te vendi ku ishin ulur delegati Bujar Pregja dhe vëzhguesi Besnik Kaimi. “Është në vete ky?! A jepet ajo penallti”, iu tha Daja. Nga ana tjetër, zv.trajneri Ardian Mema i kërkon llogari asistentit Denis Rexhës: “Si mund të japësh atë penallti, a keni sy në ballë”.

* Enea Jorgji nuk mund të harrohet lehtë nga Kukësi. Gjyqtari i ndeshjes së famshme të 20 majit, ku verilindorët fituan titullin kampion ndaj Skënderbeut, ka tashmë një panoramë në tunelin e stadiumit “Zeqir Ymeri”. Në fakt, fotoja e vendosur nuk është e ndeshjes së kampionatit të kaluar, por bëhet fjalë për sfidën debutuese të ekipit në Superiore në vitin 2012, Kukësi-Luftëtari 0-0.

* Mbrojtësi i majtë i Skënderbeut, Gledi Mici, është ofenduar në kor nga tifozët e Kukësit në disa raste. Fieraku ka qenë pjesë e Kukësit dhe është larguar nga klubi verilindor mes polemikave një vit më parë.

* Humbja e Kukësit ndaj rivalëve të Skënderbeu natyrshëm që solli mërzi dhe nervozizëm në dhomat e zhveshjeve të kampionëve në fuqi. Drejtuesit e klubit sinjalizuan lojtarët që mos të dilnin në media. Nga dhoma e zhveshjes janë dëgjuar britma prej futbollistëve, që nuk u besonin syve se kishin humbur në shtëpi pas 18 muajsh.

Por, trajneri Milinkoviç ka ndërhyrë dhe ka qetësuar situatën. “Qetësohuni djem, bëmë gabime dhe humbëm. Tani duhet të shohim përpara me kokën lart, unë kam besim te ju. Nuk përfundon këtu kampionati”.

* Pas përfundimit të pjesës së parë në shifrat 1-1, sapo skuadra hyri në dhomat e zhveshjes, autori i golit të Kukësit, Elis Bakaj, i bëri me dije trajnerit se nuk mundej të vazhdonte lojën prej dëmtimit. Milinkoviç mësohet se është dëshpëruar jo pak kur ndihmësi i tij, Vasil Papa, i ka përkthyer ato që Bakaj i ka thënë. Sulmuesi kishte bërë vetëm dy seanca me grupin gjatë javës, që prej dëmtimit në Kupë.

* Kukësi-Skënderbeu ishte një ndeshje që vuri në punë intensive stafin e klubit verilindor, që kishte mbërritur tri ditë para në Kukës për t’u marrë me problemet e stadiumit. Edhe pse kanë vendosur punëtorët për të pastruar apo për të sistemuar ndonjë dëmtim të fushës, tapeti është aq i amortizuar, saqë aktualisht është e kotë të vihet dorë.

* Drejtoria e Policisë së Kukësit kishte marrë masa për këtë takim, por jo si në ndeshjen e 20 majit, ku ishin më shumë se 200 forca policie. Dje, në stadium, kanë qenë vetëm 50 policë. Një grup prej 6 policësh ruanin 10 tifozë të Skënderbeu, 4 prej të cilëve femra./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: