“Pavarësisht nga garancitë e forta të pavarësisë, procesi i emërimeve, promovimeve dhe transferimeve, ndikohet nga transparenca e kufizuar dhe sfida për sigurimin në kohë dhe me cilësi të vlerësimeve të magjistratëve”. Shqetësimi ngrihet në një raport të Komisionit Europian, miratuar të mërkurën, i cili analizon gjendjen e Shtetit ligjor në Shqipëri duke nxjerrë në pah pikat e dobëta në sistemin e Drejtësisë, 8 vjet pas miratimit të Reformës, përpjekjet politike për të ushtruar trysni, si dhe mangësitë në luftën ndaj korrupsionit. Fenomeni konsiderohet “i përhapur në shumë fusha, përfshirë fushatat elektorale”. Raporti, është pjesë e vlerësimit periodik për vendet anëtare të Bashkimit europian e ku për herë të parë janë përfshirë dhe vendet kandidate.

KE “ngel në klasë” KLGJ dhe KLP
Kritikat për procesin e emërimeve, ngritjes në detyrë apo transferimeve, i drejtohen Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe atij të prokurorisë (KLP). Sipas raportit “KLP dhe në një masë më të vogël KLGJ po përballen me sfida për të siguruar vlerësime në kohë dhe cilësore të performancës së magjistratëve. Në bazë të dispozitave ligjore, ngritjet në detyrë mund të vazhdojnë vetëm pasi një magjistrat të jetë vlerësuar pozitivisht”. Por elementi më shqetësues që vë në dukje raporti është fakti se “KLP ende nuk ka nisur vlerësimin e prokurorëve në bazë të kuadrit ligjor të vitit 2016, por vazhdon të promovojë prokurorë në bazë të vlerësimeve të kryera nga Prokuroria e Përgjithshme përpara reformës në drejtësi të vitit 2016”.

Në të dyja institucionet pritet të zëvendësohen anëtarët jo magjistratë. Një procedurë e cila do të duhej të ishte mbyllur që dhjetorin e shkuar por që ka mbetur peng e zvarritjeve në disa hallka të procesit. Raporti vëren se “ka mangësi në emërimet e anëtarëve jo magjistratë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për sa i përket kontrollit të historikut dhe verifikimit të pasurisë, si dhe transparencës dhe meritokracisë së procesit”. Sipas Komisionit europian “dispozitat ligjore që rregullojnë zgjedhjen e anëtarëve jo-magjistratë të Këshillave nga Parlamenti dhe zbatimi i tyre në praktikë, nuk arrijnë të mbrojnë përzgjedhjen e kandidatëve që tregojnë nivelin më të lartë të pavarësisë apo kompetencës, gjë që është problematike”. Kritika ka dhe për procesin e zhvilluar së fundmi në parlament ku përmenden “sfida të raportuara në lidhje me konkurrencën dhe transparencën”.

Në raportin e tij, Komisioni europian vlerëson se “mungesa e burimeve financiare dhe njerëzore ndikon negativisht në cilësinë e drejtësisë. Sfidat mbeten në lidhje me kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore dhe ngarkesën e madhe në sistem, ndërsa masat e mëtejshme për të rritur efikasitetin ende nuk janë zbatuar”. Prej vitit të kaluar, gjykatat dhe prokuroritë janë organizuar sipas hartës së re gjyqësore e cila reduktoi ndjeshëm numrin e tyre. Sipas raportit, vënia në jetë e hartës së re “ekspozoi mangësitë e sistemit gjyqësor në lidhje me aksesin në drejtësi dhe infrastrukturën e gjykatave” dhe se “mungon një plan i fuqishëm zbatimi për hartën gjyqësore”.

Harta e re reflektoi rënien e numrit të magjistratëve për shkak të procesit të vettingut, për shkak të të cilit shumë gjyqtarë e prokurorë kanë mbetur jashtë sistemit. Të gjitha gjykata e prokuroritë e vendit, pavarësisht riorganizimit, funksionojnë me një numër të reduktuar magjistratësh. Fenomeni ka prekur edhe institucionet e reja që u krijuan nga reforma. Raporti vëren si shqetësim, numrin e madh të vakancave të inspektorëve magjistratë dhe pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, institucion, i cili megjithatë vlerësohet pozitivisht.

Komisioni Europian vëren se “ndryshimet ligjore mbeten të nevojshme për të forcuar kapacitetet e Shkollës së Magjistraturës” e cila duhet të furnizojë me magjistratë të rinj sistemin. Por raporti vë në dukje si mangësi faktin që “magjistratëve të shkarkuar me vetting nuk u ndalohet të marrin poste të stafit trajnues në Shkollën e Magjistraturës”.

Reforma në Drejtësi u miratua ndër të tjera dhe me qëllimin për ta mbajtur sistemin larg ndikimit politik. Por raporti vëren se “shqetësimet për tentativat për ndërhyrje dhe trysni, mbi sistemin gjyqësor, nga zyrtarë publikë apo politikanë mbeten. Ndërkohë që në periudhën raportuese nuk është marrë asnjë sanksion ndaj zyrtarëve publikë apo politikanëve që ushtrojnë akuza kundër magjistratëve, institucionet vetëqeverisëse kanë reaguar publikisht ndaj akuzave të tilla, duke i klasifikuar ato si ndikim dhe trysni të padrejtë”.

Vlerësime për SPAK
Sa i takon korrupsionit, raporti vlerëson se mbetet i përhapur në shumë fusha, ndërsa “masat parandaluese vuajnë nga një kuadër ligjor tepër kompleks dhe vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorët vulnerabël”. Strukturat e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) vlerësohet pozitivisht, duke përmendur faktin se numri i personave të hetuar, të ndjekur penalisht dhe të dënuar për vepra korrupsioni është rritur gjatë tre viteve të fundit. Megjithatë, Komisioni europian vëren se “autoritetet e specializuara në goditjen dhe parandalimin e korrupsionit sinjalizojnë mungesa përsa i përket burimeve dhe instrumentave të specializuara në dispozicion”. Ndërkohë që sipas raportit “strukturat e tjera të luftës kundër korrupsionit, ende përballen me sfida në zbulimin dhe hetimin efektiv” të këtij fenomeni.

Amnistia liroi 40 të dënuar nga GJKKO
Shqetësim shfaqet dhe për ligjin e amnistisë, të miratuar në parlament, pas një konsensusi mes shumicës dhe pjesës dërrmuese të opozitës. “40 persona të dënuar nga Gjykatat e posaçme, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë u përfshinë në objektin e përjashtimit nga vuajtja e dënimit dhe 60 persona kanë të drejtën të përfitojnë ulje të dënimit”.

Raporti sheh si problematike “transparencën e kufizuar në procedurat e prokurimit publik, veçanërisht për partneritetet publiko-private” si dhe “keqpërdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatave elektorale”./ Zëri i Amerikës

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb