TIRANE

Piktori i arteve pamore Viktor Ferraj është i ftuari i sotëm i emisionit Chic, me moderatoren Fjodora Fjora në News24. Ai sapo ka hapur një ekspozitë, e sjellë pas 2 vitesh nga ekspozita e fundit dhe prezantohet në dy zhanre, pikturë dhe qeramikë. Bëhet fjalë për një cikël të cilin ai ka mundur ta realizojë përgjatë 10 viteve të fundit, kryesisht me punime të realizuara në shtetin fqinj Itali, ku ai ka punuar dhe jetuar për më shumë se 20 vite, por edhe punime që i përkasin viteve të fundit, të cilat janë realizuar enkas për këtë ekspozitë.

-Përshëndetje dhe kënaqësi që takohemi këtu në këtë ekspozitë tënden të titulluar ‘Gjurmët e figurës’. Përse e ndjen kaq të nevojshme që çdo punë tënden që sjell ta lidhësh me një ngjarje, me një situatë a emërtim, që duhet patjetër të përçojë, atë që ti ke dashur të sjellësh me veprën tënde të artit.
-Kjo është një ekspozitë me një hark kohor të gjatë. Unë punoj me idenë e cikleve në pikturë dhe ekspozitat e mia kanë një ide me të cilën nisin dhe zhvillohen. Kjo ekspozitë ndryshe nga të tjerat u zhvillua me një kriter tjetër, ishte si një lloj përmbledhjeje, pra përfshin një hark kohor më të gjatë, gati 10-vjeçar, dhe një pjesë e këtyre veprave bartin pak a shumë një lloj materiali eksperimental. Mbi të cilat ti zhvillon një gjë tjetër. Pjesa më e madhe e këtyre veprave krijuar një lloj personaliteti, individualiteti dhe si të tilla kanë pasur një lloj jete me vete, prandaj më lindi dhe gjuha e gjurmës e figurës, si një zbulim.

-Ju ndryshe nga shumë piktorë, një cikël nuk e nisni, zgjasni apo vazhdoni deri në fund për t’i vënë një kapak. Ke rikthime të herëpashershme në mënyrën si ke nisur një cikël dhe si e vazhdon atë, pra një cikël për ju nuk mbaron kurrë në krijimtarinë tënde, rikthehet, ndez diçka, vjen prapë dhe sillet në pikturë.
-I përngjet pak atyre cikleve, të kujton pak paganizmin me rikthimin e Pranverës, Verës, Vjeshtës dhe Dimrit. Artin unë e shoh edhe si një mënyrë rigjenerimi, jo thjesht si një vështrim ndaj të ardhmes, por si një lloj cikli në vetvete. Unë shpesh i jam kthyer temave që kam pasur, edhe atyre të fazave të para, i kam parë, i kam rizgjuar në një mënyrë tjetër. Kjo është një lloj dëfrimi me veprën tënde.

-Kur vendosesh përpara pikturave të tua sheh dhe përjeton sikur këto copëza të qeramikës janë kthyer në personazhet kryesor të pikturave të tua.
-Gjithmonë kam pasur një raport mes zgjidhjeve plastike dhe atyre grafike, nuk i jam ndarë kurrë vizatimit, skicave, kam qenë një person që më ka pëlqyer shumë edhe literatura dhe e lidhja shpesh me tregimin.

-Shqipëria të ka zvogëluar pak në përmasë, por gjithashtu të ka bërë më agresiv në shprehje. Punët që vijnë nga Italia janë më romantike, kanë më shumë ngjyra, çfarë ndodh, ka vërtetë një ndryshim apo është thjesht perceptimi im?
-Nuk është tamam ashtu, për sa i përket momentit të fundit të ciklit i kam ndërthurur jo vetëm veprat por edhe materialin.

-Ti ke qenë tepër aktiv gjatë këtyre viteve pasi ke mbërritur në Tiranë dhe duket se ke shumë për t’i treguar njerëzve, të cilëve u ke munguar për rreth 20 vjet. A po punon, je aktiv në studio? Gjithmonë pas prezantimit të një punimi, fillon e mendon për një projekt tjetër. A po mendoni edhe ju vërtetë për një ekspozite tjetër apo është ende herët?
-Jo sigurisht unë vazhdoj të punoj dhe ndoshta kam një ide për një tjetër ekspozite plotësisht qeramike, një ide e kam, por duke parë historikun e ekspozitave të mia të zhvilluara kryesisht në Itali, unë kryesisht i kam përzier këto mediume, domethënë i kam parë të lidhura me njëra tjetrën. Ekspozita e fundit ishte e ndërtuar me skulpturën dhe me pikturën. I lidhte tema dhe mënyra kompozicionale. Por tani po mendoj për një ekspozitë thjesht me qeramikën. Mundësitë janë dhe shpresoj të jetë në atë që unë mendoj.

-Të falënderoj dhe shpresoj ta përçosh mesazhin që doje për të gjithë ata që e duan artin tënd.

-Edhe diçka në fund përzgjedhja e Bujtinës si vend ku bëra ekspozitë është për faktin se ambientet ngjajnë me një manastir. E parë në këtë këndvështrim unë e shikoja shumë të përshtatshme vendosjen e objekteve të ndara njëra nga tjetra duke krijuar një lloj silogjizmi dhe afërsie me idenë që kanë taulat antike ose objektet antike, që janë edhe si objekte që ruhen dhe në të njëjtën kohë kanë edhe historinë e tyre, ku në të njëjtën kohë ti mund ti përjetosh edhe si vepra të mirëfillta arti.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb