TIRANË- Veoprimtaritë kulturore shqiptare në Paris gjithnjë tërheqin vëmendjen jo vetëm të shqiptarëve me banim në Francë por edhe të opinionit publik kulturor të këtij vendi të madh dhe dashamirës i artit.

Këto ditë në Espace 26, Place Denfert Rocheraut Paris 14 “Shtëpia e Shqipërisë”, “Albinfos”, “Atelie bleu” dhe “Albatroy” ftuan dashamirësit e artit në vernisazhin e ekspozitës së piktorit nga Ulqini, Naser Hasa. Një veprimtari interesante, e cila zgjoi interesin e mjaft personave. Prezantimin e veprave në pikturë dhe vizatime për të pranishmit e bëri shkrimtari dhe publiçisti Luan Rama. Në këtë vernisazh morri pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Francë, Dritan Tola, i cili falenderoi piktorin Hasa për kontributin e tij të vyer në artin kombëtar shqiptar gjithashtu vlerësoi punën e organizatorëve të ekspozitës dhe drejtuesin e kësaj Espace të Shtëpisë së Shqipërisë, Gjergji Themeli.

Gjithashtu artëdashësit i falenderoi për praninë dhe interesin e tyre piktori Naser Hasa, duke i dhuruar seicilit edhe albumin e ekspozitës së tij.
Zamir Mati, “Piktor i Merituar”, u shpreh: “Gjithëherët artistët e trevave ku banojnë shqiptarë si të Malit të Zi, Maqedonisë, Preshevës, etj, e sidomos ata të cilët studimet e tyre i kanë bërë në atelietë e piktorëve të shquar kosovarë Myslim Mulliqi, Shyqyri Nimani, Fatmir Krypa, Rexhep Ferri, etj, në Akademinë e Arteve të Prishtinës në Kosovë, kanë sjellë në mënyrë origjinale subjekte dhe shprehje artistike të reja. Në veprat e tyre ndihet karakteri kombëtar nëpërmjet figurave dhe vendosjes së tyre në mardhënie me problemet e kohës e të hapsirës për zgjidhjen e indentitetit kombëtarë. Edhe piktori Naser Hasa ka veçori të tilla origjinale që i shpalos nëpërmjet vizatimit grafik dhe ekspresiv e raporteve të tij me ngjyrën.

Kur i kujton veprat e artistëve të trevave ku banojnë shqiptarë ke dëshirë ti shtosh ato si në një koleksion albumi të këtij arti, ti shohësh së bashku dhe këtu në këtë bashkësi pa tjetër edhe veprat e Naser Hasës kanë vendin e tyre të rëndësishëm.”

Ndërkaq, studiuesi i njohur, Luan Rama, theksoi në fjalën e tij se “Në një nga letrat që Van Gogh i dërgonte vëllait të tij Theo, ai i shkruante se «Ditën që njerëzit do të fillojnë të thonë se unë di të vizatoj, pra jo të pikturoj, atëherë ndoshta unë do të bëjë një pikturë, në një çast të papritur për ta”. Van Gogh theksonte gjithashtu se “në praktikë, metoda është të ushtrosh në fillim vizatimin, pasi mund të kalosh shumë më lehtë nga vizatimi në pikturë sesa anasjelltas”. Këto fjalë të Van Gogh-ut, djaloshi i ri i pasionuar pas vizatimit, ndoshta nuk i ka lexuar në atë kohë, por ishte vizatimi që e çoi atë drejt një pikture të mirëfilltë dhe vizatimi duket se mbetet për të kyçi i artit të tij. Ka piktorë që edhe pse vizatues mjaft të mirë e braktisin vizatimin në mesin e krijimtarisë së tyre, por ky piktor i Ballkanit, ardhur nga Ulqini për të ekspozuar disa nga veprat e tij në Paris, duket se nuk do ta braktisë, madje rikthimi i vazhdueshëm drejt vizatimit i jep atij impulse të reja dhe ajo që është më me interes, është se vizatimi e çon akoma më thellë drejt portretit psikologjik. Pra, piktori Hasa ka përshkuar e vazhdon të përshkojë atë trajektore për të cilën shkruante para më shumë se një shekulli Van Gogh, trajektore që nisi në shkollën e pikturës në Prishtinë, me pikëtakime në Beograd dhe Zagreb, duke formuar gradualisht një profil spikatës mes piktorëve të kësaj pjese të Ballkanit”.
(ma.ar/ata/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: