Analisti Mentor Kikia, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur në lidhje me zbulimin e një rasti të shpërndarjes së një lënde të rrezikshme në një shkollë 9-vjeçare në kryeqytet, e cila shpërndahet në formën e çamçakëzëve dhe që shkakton përgjumje tek nxënësit.
Kikia ishte ai i cili bëri publik rastin në një postim në rrjetet sociale, ndërsa shtoi se Policia e Tiranës ka vepruar menjëherë duke nisur verifikimin nëse kjo ëhstë kthyer në fenomen apo kanë qenë raste sporadike.
“Hasa në një informacion që një mësuese u kishte shkruar prindërve në një grup në WhatsApp për një lëndë që shpërndahej në formën ne çamçakëzit dhe shkaktonte përgjumje. Qëllimi im nuk ishte shpërndarja e lajmit, por reagimi ndaj faktit.
Postimi im u shpërnda në një formë të paimagjinueshme, e justifikueshme kjo dukje pasur parasysh që çdo prind është i shqetësuar për atë që mund ti ndodhë fëmijëve.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Policisë së Tiranës, ku ka nisur verifikimi në shkolla nëse është një rast sporadik apo është një fenomen i përhapur.
bëhet fjalë për një shkollë 9-vjeçare. Nuk është rasti të ngremë panik, por duhet të ngrihet vigjilenca. Nëse prindërit shohin anomali tek fëmijët, duhet të bashkëveprojnë me shkollën dhe organet e rendit”, tha ai.
(BalkanWeb)