E diela mirëpret ndeshjen mes Milanit dhe Romës, e vlefshme për Serie A. Në prag të këtij takimi ka folur për mediat, Stefano Pioli, trajner i kuqezinjve.
Rivali “Ata janë një ekip i fortë dhe i strukturuar mirë, i respektojmë shumë. Roma kombinon dhe organizon mirë cilësinë e lojës së tyre. Ata kanë lojtarë shumë të mirë dhe cilësorë të cilët bëjnë diferencën. Zaniolo ka potencial të jashtëzakonshëm, po ashtu dhe Dybala. Ne kthehemi të luajmë në San Siro pas 50 ditësh dhe jemi shumë entuziast.”
Serie A– “Ne duhet të bëjmë garën tonë, nëse duam të fitojmë kampionatin duhet të marrim shumë pikë. Mund të bëjmë më mirë, e dimë se sa e rëndësishme është zhbllokimi i ndeshjeve. Jemi ndër skuadrat që shënojmë më shumë në fillim të ndeshjes, por sërish mendoj se sa e rëndësishme është të vazhdojmë të krijojmë raste goli.”
Futbollistët- “Është një periudhë shumë e nxehtë për Leaon, ai duhet të vazhdojë të luajë mirë. Calabria është një lojtar shumë i fortë dhe inteligjent, është i rëndësishëm për ekipin tonë. De Ketelaere është mirë fizikisht dhe mendërisht. Kam besim tek ai.”
Situata me dëmtimet– “Nuk kemi një afat kohor për rikthimin e Maignan, nuk mund të rrezikojmë. Ai ka të gjithë mbështetjen tonë, por duhet të presim sepse trupi i tij nuk ka reaguar siç duhet. Kjaer kishte disa probleme në Kupën e Botës, por tani po rikuperohet dhe mendoj se së shpejti do të jetë i disponueshëm” – Tha ai.
(BalkanWeb)
