Nga: MENTOR KIKIA*
Pakkush e di se kush janë shefat e kabinetit të ministrave. Dhe në fakt s’kemi pse ta dimë, pasi ky nivel nëpunësish nuk ka asnjë ndikim në vendimmarrje. Por, prej disa ditësh, ne kemi mësuar se shefi i kabinetit të ministrit të Jashtëm është një 30-vjeçar, Pirro Vengu quhet. Dhe shkaku pse ai është bërë publik është se ka edhe nënshtetësi greke. Dhe, meqë është nënshtetas i atij vendi, ai e ka trajtuar si gjithë shtetasit e tjerë, duke i dërguar një fletëthirrje për të kryer shërbimin ushtarak. Sipas ministrisë, ai e ka refuzuar shërbimin, duke paguar faturën financiare që parashikohet në të tilla raste.
Pasi u mësua kjo, në ‘kazanin’ e politikës sonë shpërtheu ‘skandali’. Opozita bëri debat në Komisionin e Politikës së Jashtme dhe madje kërkoi edhe dorëheqjen e ministrit të Jashtëm, pasi mu në majën e diplomacisë shqiptare punonte një nënshtetas grek. Madje një nënshtetas që kishte dhe një fletëthirrje për ushtar. Dhe kur vjen fjala për ushtarët grekë, ne kemi parasysh ata komandot që këndonin këngë marshimi “me zorrët e shqiptarëve do të bëjmë lidhëse për këpucët tona”.
Tani ky “Pirro greku”, ndoshta nuk do të këndonte kështu këngësh për “ne shqiptarët”, por ama sekretet e diplomacisë sonë mund t’ua përcjellë grekëve, të cilët mund të zbulojnë se çfarë kemi në plan ne për politikën e jashtme, në rajon e më gjerë.
Tani, përtej ironisë, shqetësimi është shumë i madh, për faktin se si mundet që një çështje e tillë të marrë kaq shumë vëmendje. Po e lëmë mënjanë median, e cila e ka për “detyrë” të jetë shpesh edhe më e ndjeshme seç duhet, por opozitës nuk i falet. Kur vjen fjala te raportet me grekët, shumë shqiptarë bëhen të ndjeshëm shumë, dhe në rrjetet sociale patriotizmi derdhet lumë me sharje. Por partia që synon të marrë drejtimin e vendit, nuk mund të jetë në të njëjtin nivel me politikën e “Facebook”-ut.
Mund të ketë edhe nga ata lexues që tani mund të më kryqëzojnë edhe mua që po kritikoj reagimin e opozitës, pasi mund të mendojnë se, kur një shqiptar me nënshtetësi greke është një drejtues i lartë në Ministrinë e Jashtme, nuk është gjë e pakët.
Unë mendoj se është jo e pakët, por është një hiçgjë.
Pirro Vengu(me nënë minoritare greke) është një nga ata shqiptarë që është rritur ne Greqi, pasi familja e tij kishte emigruar si mijëra familje të tjera nga Shqipëria. Pastaj është shkolluar në Greqi e më pas në Francë dhe ka punuar në institucionet politike të Europës në Francë. Me një CV të admirueshme për moshën që ka, ai ka pranuar ftesën e ministrit Bushati që të jetë në stafin e tij të ngushtë.
Sa shqiptarë ka që kanë emigruar në moshë të vogël me familjet, apo kanë lindur në emigracion dhe që janë shkolluar në shkolla të mira jashtë vendit? Sa shqiptarë ka që punojnë në institucione apo kompani ndërkombëtare në shtete të ndryshme? Sa shqiptarë ka që mbajnë sot nënshtetësinë greke, italiane, franceze, gjermane, amerikane apo britanike? Askush nuk i ka numëruar, por ka sa të duash. Ka mes tyre shumë të aftë dhe që çdo parti, para apo sapo merr pushtetin, i fton këta njerëz të zotë që të kthehen në Shqipëri. Çdo qeveri ka hartuar madje edhe programe për “thithjen e trurit”. Por ne harrojmë që këta “trutë” që na janë shpërndarë anekënd botës, mund të kenë, ndoshta jo të gjithë, edhe nënshtetësinë e vendeve ku jetojnë e punojnë aktualisht. Dhe kjo nuk ka asgjë të keqe. Edhe në qoftë kjo nënshtetësi greke apo edhe serbe, po të duam. Sepse, së pari, ai është një shtetas shqiptar dhe si i tillë mund të punojë në çdo vend të mundshëm pune.
Por, a duhet të kujdeset qeveria për pastërtinë e figurave që janë në krye të diplomacisë dhe jo vetëm? Pa dyshim që po! Dhe për këtë ka struktura të tjera, të posaçme, shteti. Ndaj ka shërbim sekret, edhe brenda shërbimit diplomatik, edhe brenda Ministrisë së Jashtme e kudo tjetër, struktura që janë përgjegjëse për sigurinë kombëtare. Nëse Vengu do të kishte bashkëpunuar me ndonjë shërbim grek, duke i përcjellë atij dokumente sekrete të Ministrisë së Jashtme shqiptare, atëherë ministri i Jashtëm jo thjesht duhej të jepte dorëheqjen, por edhe duhej hetuar për këtë emërim. Ndërsa Vengu, pa dyshim që duhej arrestuar. Por deri tani nuk ka asnjë dyshim të tillë; kjo ndoshta edhe për faktin se grekët s’kanë ngelur t’i marrin vesh gjërat nga Pirroja.
Atëherë, përse e gjitha kjo zhurmë? Një argument për të bërë opozitë ndoshta? Por siç duket, kjo është një çështje nga e cila nuk del kapital politik, sado ta shtrydhësh. Edhe sepse Pirro Vengu nuk është Pirro Dhima, sepse Vengu u formua në Greqi e Francë dhe u kthye të punojë në Shqipëri. Madje mendoj që, nëse do të vijnë më shumë njerëz të tillë, që janë diplomuar në universitetet e Europës dhe jo në kampingjet e rinisë politike në gjirin e Jalës, do të kemi një administratë shumë më të mirë.
(g.b/GSH/BalkanWeb)