Një tjetër efektiv i Rrugores, pjesë e grupit që përvetësonin gjobat ndaj personave me targa të huaja, vihet në pranga.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës – Dibër) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, ka ekzekutuar masat e sigurimit personal “Arrest me burg” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit B.S., me detyrë trupë shërbimi në Njësinë Operacionale për Sigurinë Rrugore dhe Sigurisë së Autorstradave, i dyshuar për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.

Punonjësi B.S., ishte shpallur në kërkim një muaj më parë në kuadër të operacionit të koduar “Targa e huaj” ku u dokumentuan rastet e përvetësimit në mënyrë të paligjshme të vlerave monetare nga ana e punonjësve të qarkullimit rrugor.

Mësohet se 22 efektivë të policisë gjobisnin shtetas të huaj që shkelnin rregullat e qarkullimit rrugor. Gjobat ndaj tyre varionin nga 200 deri në 500 mijë lekë të vjetra dhe ata ndalonin kryesisht personat me targa të huaja. Më pas ata i merrnin vetë paratë dhe nuk i dorëzonin tek financa. Policia nisi hetimet pasi një shqiptar i Kosovës denoncoi për gjobën që ai kishte paguar.

Ata ndalonin makina me targa të huaja, nga vendet e BE-së, Evropës Lindore, por sidomos të Kosovës. Vjeljen e gjobave, me dëshirën e shoferëve, e bënin në vend, plotësonin procesverbalet dhe më pas i hidhnin të dhënat në sistemin e gjobave, por nuk dorëzonin paratë, duke menduar se skema e tyre nuk do të zbulohej. Vjedhja e parave të gjobave dyshohet se ka ndodhur gjatë vitit 2023.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90. Për ankesa me Whatsapp 0694151511.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: