Policia e Tiranës ka vënë në pranga një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe të dënuar me 13 vite e 6 muaj burg për trafik droge dhe organizatë kriminale. Uniformat blu kanë arrestuar 54-vjeçarin Martin Prendi, banues në Tiranë, i cili kërkohej për llogari të drejtësisë italiane.

Njoftimi i policisë:
Një tjetër person në kërkim ndërkombëtar bie në prangat e policisë. Finalizohet operacioni policor i koduar “Yrsheku”. Operacioni nga DVP Tiranë në bashkëpunim me Interpol Tirana. Lokalizohet, kapet dhe ndalohet një shtetas shqiptar, i dënuar me 13 vite e 6 muaj burg nga drejtësia italiane, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Organizatë kriminale”.

Seksioni i Kërkimit në D.V.P.Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana falë një pune të mirëorganizuar hetimore, lokalizoi, kapi dhe ndaloi në zonën e Yrshekut, në Kashar, shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar: – M. P., 54 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar një ditë më parë nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit në Milano, Itali e ka dënuar këtë shtetas me 13 vite e 6 muaj burg, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Organizatë kriminale”. Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: