GJKKO ka lënë në fuqi masën e kërkuar nga SPAK, ‘arrest me burg’ për tre trafikantë shqiptarë që ishin pjesë e një grupi kriminal që e kishte bazën në Francë. Bëhet fjalë për shtetasit Redian (alias Refik) Doda, Zabit (alias Artur) Fisniku dhe Fabi Isaku.

NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 02.07.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Marrjen në pyetje, në respektim të nenit 248 të Kodit të Procedurës Penale, të personave nën hetim Redian (alias Refik) Doda, Zabit (alias Artur) Fisniku, Fabi Isaku, dhe lënien në fuqi të masës së sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, të caktuar me vendimin Nr. 66 Akti, datë 28.06.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, me vendimin Nr. 70, datë 03.07.2024 vendosi: 1. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale caktuar ndaj personit nën hetim Redian (alias Refik) Doda, Zabit (alias Artur) Fisniku, Fabi Isaku me vendimin Nr. 66, datë 28.06.2024 të Gjykatës së Posaҫme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikim i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 e Kodit Penal, “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/ i Kodit Penal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal.
2. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi. Tiranë, më datë 03.07.2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb