Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar 21 vite burg për Astrit Beqirin dhe Dhimitër Shkodrani. Lajmi është bërë i ditur nga gazetarja Klodiana Lala për ‘BalkanWeb’. Më konkretisht SPAK kërkoi 11 vite burg për Beqirin dhe 10 vite për Shkodranin. Ata akuzohen nga Prokuroria e Posaçme, për pastrim parash dhe grup kriminal. Atyre do t’u ulet 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Beqiri dhe Shkodrani janë pjesë të një grupi kriminal, i cili ka trafikuar mbi 1650 kg kokainë drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal, dërgoheshin në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, ku merreshin nga shtetasi Dhimitër Shkodrani. Ky i fundit më pas i dorëzonte tek shtetasi Astrit Beqiri në Shkodar. Beqiri, është kunati i kreut të grupit, Sokol Krasnici, i arrestuar në Danimarkë, dhe paratë i kishte investuar në biznese të ndryshme.
(BalkanWeb)